Hetimet për atentatin mafioz ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit vijojnë, edhe pse kanë kaluar disa muaj nga ngjarja e rëndë e ndodhur pranë rrethrrotullimit të Rinasit. Deri më tani, autorët e sulmit nuk janë identifikuar, pavarësisht se atentati u krye në mes të ditës, në një zonë me siguri të lartë për shkak të afërsisë me aeroportin.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se një person nga Fushë-Kruja është shoqëruar në ambientet e policisë, pasi dyshohet se mund të ketë dijeni mbi atentatin ose mbi personat e përfshirë në organizimin e tij. Identiteti i të shoqëruarit nuk bëhet publik, ndërsa ndaj tij nuk është ngritur ende asnjë akuzë dhe pritet të merret në pyetje.
Ndërkohë, Prokuroria ka në plan të marrë në pyetje edhe Emiljano Shullazin, i cili ndodhet aktualisht në burg. Sipas burimeve, ai do të pyetet lidhur me mundësinë e njohjes së autorëve apo të personave që mund të kenë porositur atentatin, për shkak të lidhjeve miqësore që kishte me viktimën Gilmando Dani. Marrja në pyetje pritet të zhvillohet në ambientet e paraburgimit 313, por mbetet e paqartë nëse Shullazi do të japë deklarime për këtë çështje.
Si ndodhi atentati i Rinasit
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 11 nëntorit, kur Gilmando Dani u ekzekutua me armë zjarri pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ndërsa miku i tij Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së, mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë disa ditë më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Të dy udhëtonin me një automjet tip “Benz” dhe sapo ishin kthyer nga Barcelona, Spanjë. Avioni me të cilin udhëtuan zbriti në Tiranë rreth 35 minuta para orarit të planifikuar, ndërsa atentati ndodhi vetëm 25 minuta më pas, në rrethrrotullimin e Rinasit, çka ngriti dyshime se autorët kishin informacion të saktë për lëvizjet e tyre.
Sipas hetimeve, ndaj automjetit të viktimave u qëllua nga persona të paidentifikuar që udhëtonin me një mjet tip “Toyota Yaris”. Autorët, të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, ndaluan makinën dhe qëlluan me breshëri plumbash. Njëri prej tyre zbriti nga automjeti, rimbushi armën dhe qëlloi sërish në drejtim të Gilmando Danit, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit.
Makina e përdorur nga atentatorët u gjet e djegur pak minuta më pas në zonën e Fushë-Krujës. Hetimet u përqendruan kryesisht në zonat e Niklës dhe Fushë-Krujës, nga ku dyshohet se autorët u larguan. Disa ditë pas ngjarjes, në një banesë të braktisur në Fushë-Krujë u zbulua edhe një arsenal armësh, por deri më tani nuk është provuar lidhja e tyre direkte me atentatin e Rinasit.
Hetimet vijojnë, ndërsa Prokuroria dhe policia po përpiqen të zbardhin një nga atentatet më të rënda të viteve të fundit në vend.
