Lagështira në rrugë dyshohet se ka qenë shkaku kryesor i aksidentit tragjik të ndodhur më 2 janar në Lezhë, ku humbën jetën çifti i bashkëshortëve Petrit dhe Elona Florini. Ky është përfundimi i ekspertizës paraprake të kryer nga autoritetet.
Sipas të dhënave hetimore, automjeti tip “Benz”, me të cilin udhëtonin viktimat, ka rrëshqitur për shkak të terrenit të lagësht, duke u kthyer kryq në rrugë. Për pasojë, mjeti është përplasur me një automjet tip “Porsche”, duke shkaktuar humbjen e jetës së dy bashkëshortëve. Nga automjeti tjetër kanë mbetur të plagosur dy persona, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga policia bëjnë me dije se në momentin e aksidentit rruga ka qenë e rrëshqitshme për shkak të reshjeve, të cilat në disa zona janë shoqëruar edhe me breshër. Megjithatë, autoritetet theksojnë se ekspertiza përfundimtare do të kryhet nga specialistë nga Tirana, të cilët do të përcaktojnë me saktësi rrethanat dhe faktorët që çuan në aksidentin fatal.
Ndërkohë, për aksidentin tjetër të rëndë me tre viktima në segmentin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, ende nuk ka një raport zyrtar përfundimtar. Hetimet paraprake po fokusohen te shpejtësia e lëvizjes së automjeteve, në një aks ku kufiri maksimal i lejuar është 80 km/h.
Fillimi i vitit 2026 është shoqëruar me një bilanc shqetësues në rrugët e vendit. Vetëm në ditët e para të janarit janë regjistruar 9 aksidente rrugore, me 5 viktima dhe 11 persona të plagosur, duke rikthyer në vëmendje problematikën e sigurisë rrugore dhe nevojën për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve.
