Dërgohet për gjykim “avokatja” në Fier, mashtronte qytetarët dhe u zhvaste paratë me premtime të rreme

Data

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasen K.K., e akuzuar për veprat penale “Mashtrimi”, e kryer më shumë se një herë, dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Hetimet nisën pas kallëzimeve të disa qytetarëve dhe materialeve të publikuara në media investigative, ku denoncohej se e pandehura, duke u prezantuar si avokate, kishte përfituar shuma të konsiderueshme parash përmes mashtrimit. Ajo u premtonte qytetarëve zgjidhjen e çështjeve të ndryshme ligjore, administrative dhe gjyqësore, përfshirë legalizime pronash, procedura pensioni, çështje pronësie dhe përfaqësim në procese civile.

Nga verifikimet rezultoi se shërbimet e premtuara nuk janë realizuar, megjithëse pagesat ishin kryer. Paratë janë dhënë në forma të ndryshme, si dorëzime në dorë, transferta financiare apo pagesa të deklaruara si kapar dhe shpenzime procedurale. Në disa raste, viktimat janë mbajtur me premtime se procedurat ishin në proces, ndërsa më pas komunikimi me të pandehurën është ndërprerë pa asnjë rezultat konkret.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu se janë dhënë informacione të pavërteta për ekzistencën e proceseve gjyqësore apo aplikimeve administrative, të cilat pas verifikimit pranë institucioneve përkatëse rezultuan të mos ishin kryer. Në këtë procedim janë identifikuar 8 shtetas të mashtruar, kryesisht nga qytetet e Lushnjes dhe Fierit.

Po ashtu, është konstatuar se K.K. ka ushtruar veprimtari që paraqiteshin si përfaqësim ligjor, në një kohë kur nuk kishte status aktiv për ushtrimin e profesionit të avokatit. Ajo ka përfituar të ardhura nga ky aktivitet pa i deklaruar pranë organeve tatimore, duke figuruar për vite me radhë me status pasiv dhe duke shmangur detyrimet tatimore.

Prokuroria thekson se do të vijojë angazhimin për ndjekjen penale dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo personi që cenon pasurinë dhe të drejtat ekonomike të qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related