Të dhënat më të fundit mbi ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto tregojnë se rritja ekonomike në vend po mbështetet gjithnjë e më pak te sektorët prodhues dhe gjithnjë e më shumë te shërbimet, duke krijuar një model zhvillimi të paqëndrueshëm dhe të ekspozuar ndaj goditjeve.
Sipas statistikave zyrtare, ekonomia u rrit me 3.75% në tremujorin e tretë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, kjo rritje nuk u mbështet nga bujqësia dhe industria. Bujqësia shënoi një rënie prej 1.73%, ndërsa industria pësoi një tkurrje edhe më të fortë, me 4.7%.
Bujqësia vijon rënien e vlerës së shtuar që prej vitit 2021, duke reflektuar probleme strukturore të pazgjidhura, si fragmentimi i tokës, produktiviteti i ulët, mungesa e subvencioneve dhe rritja e kostove. Ndërkohë, industria përpunuese po mbyll vitin e tretë radhazi në rënie, e ndikuar nga kërkesa e dobët e jashtme, kostot e larta të prodhimit dhe mungesa e fuqisë punëtore.
Dy sektorët prodhues, të cilët historikisht kanë pasur peshë të konsiderueshme në punësim dhe në ekonomi, po humbasin terren. Bujqësia dhe industria së bashku kontribuan vetëm 23% të PBB-së në vitin 2024, nga 27.3% që ishte pesha e tyre në vitin 2019. Kjo tregon se zgjerimi ekonomik nuk po shoqërohet me forcim të kapaciteteve prodhuese.
Në kontrast, rritja po mbahet gjallë kryesisht nga sektorët e shërbimeve, si administrata publike, aktivitetet profesionale dhe financiare, tregtia dhe shërbimet e lidhura me turizmin. Ekspertët paralajmërojnë se kjo e bën rritjen më pak të balancuar dhe më të ndjeshme ndaj krizave, pasi mungon mbështetja nga sektorët që krijojnë vlerë të shtuar afatgjatë dhe që janë baza e eksporteve.
Dobësimi i prodhimit ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregtinë e jashtme. Eksportet kanë pësuar një rënie vjetore rreth 7% në 11 muajt e fundit dhe mbeten të përqendruara kryesisht në produkte me vlerë të ulët të shtuar. Kjo rrit varësinë nga importet, remitancat dhe turizmi, duke thelluar deficitin tregtar dhe duke e bërë ekonominë më të ndjeshme ndaj faktorëve të jashtëm.
Për më tepër, sektori prodhues zakonisht ofron vende pune më të qëndrueshme dhe me potencial më të lartë për zhvillim aftësish. Me rënien e prodhimit, punësimi po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt aktiviteteve me produktivitet të ulët ose informale, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi cilësinë e rritjes ekonomike dhe aftësinë e saj për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm në afatgjatë.
