Bajern Mynih siguroi një vend në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë pas një ndeshjeje të fortë ndaj Union Berlin, duke thyer një “mallkim” pesëvjeçar, pasi në katër nga pesë edicionet e fundit ishte eliminuar para kësaj faze.
Këtë herë, rruga drejt finales së madhe në Berlin—e para që prej vitit 2020—u ndërtua mbi bazat e thjeshta të futbollit: punë fizike, disiplinë dhe shfrytëzim të situatave standarde.
Këtë e theksoi edhe drejtori sportiv i Bajernit, Maks Eberl:
“Ne tashmë kemi shënuar disa herë nga goditjet fikse. Nuk është rastësi. Kjo është pjesë e planit.”
Ai nënvizoi se skuadra e Kompanit ka bërë hapa të dukshëm përpara në lojën pa top:
“Kemi mbrojtur shumë mirë edhe ndaj PSG-së. Nuk kam pse të shpjegoj pse kaluam më tej.”
Edhe pse e pranon se Bajerni nuk po shkëlqen në performancë, Eberl thekson se ekipi ka arritur të fitojë ndeshje që sezonin e kaluar do t’i kishte humbur.
Në javët e fundit, rezultatet kanë qenë të luhatshme:
– barazim 2-2 me Union Berlin në Bundesligë,
– një fitore 6-2 ndaj Frajburgut pas një starti 0-2,
– humbje 1-3 ndaj Arsenalit,
– dhe fitore e vështirë 3-1 ndaj St. Pauli, me gola vendimtarë në shtesë.
Megjithatë, mesazhi i klubit është i qartë: ka progres.
Trajneri Vincent Kompany, i njohur për emocionet e forta në ndeshjet e ngushta, ka futur një disiplinë të re mbrojtëse. Bajerni po tregon se di të ruajë portën dhe të menaxhojë momentet kritike.
Synimi është i padiskutueshëm: rikthimi në finalen e Berlinit dhe rikthimi i dominimit në garat vendase.
