Deputeti i Partia Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar me akuza të forta lidhur me pasuritë e sekuestruara në kuadër të hetimeve për dosjen e “AKSHI”-t, ku përfshihet edhe ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj.
Në një reagim publik, Balliu theksoi se deklaratat e mëparshme se Karçanaj jetonte me qira bien ndesh me gjetjet e hetimeve, të cilat sipas tij tregojnë një realitet tjetër, me pasuri të konsiderueshme të pajustifikuara.
Ai akuzoi se fondet publike kanë përfunduar në duart e një strukture që e cilësoi si “organizatë kriminale”, duke iu referuar rastit të AKSHI. Sipas Balliut, këto para i përkasin qytetarëve dhe duhet t’u rikthehen atyre.
“Rama deklaronte se Karçanaj ishte në shtëpi me qira, ndërkohë që rezulton e zhytur në pasuri të pajustifikuara. Ja ku përfundojnë paratë e qytetarëve: në xhepat e organizatës kriminale të AKSH-it. Këto pasuri duhet t’u kthehen qytetarëve”, shprehet ai.
Reagimi i tij vjen pas operacionit të SPAK, i cili çoi në sekuestrimin e pasurive me vlerë dhjetëra milionë euro dhe vijon hetimet për dokumentimin e plotë të çështjes.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një vendim përfundimtar, ndërsa personat e përfshirë konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
