Platforma kombëtare e shërbimeve digjitale e-Albania ndodhet prej katër ditësh jashtë funksionit, duke paralizuar aktivitetin e mijëra bizneseve dhe duke krijuar probleme serioze edhe në sistemin shëndetësor. Qytetarët dhe subjektet ekonomike nuk po arrijnë të marrin asnjë shërbim, ndërsa institucionet përgjegjëse ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar të qartë.
Bizneset e vogla, veçanërisht të vetëpunësuarit që përdorin platformën qendrore të faturimit falas, janë ndër më të prekurit. Prej ditësh ata nuk mund të lëshojnë fatura tatimore, të kryejnë bilance, të ngarkojnë certifikata fiskalizimi apo të rinovojnë certifikatat që u skadojnë, duke rrezikuar ndërprerjen totale të aktivitetit. Ekonomistë dhe kontabilistë raportojnë se sistemi i faturave nuk aksesohet fare, duke bllokuar të gjithë zinxhirin e punës financiare.
Problemet me sistemet digjitale janë shfaqur edhe më herët, por kjo është periudha më e gjatë e ndërprerjes së plotë, duke krijuar një situatë që vetë profesionistët e krahasojnë me “kohë lufte”. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, që administron e-Albania-n, nuk ka pranuar zyrtarisht mosfunksionimin, por burime pranë institucionit bëjnë me dije se janë në dijeni të situatës dhe po punojnë për zgjidhjen e saj.
Situata është përkeqësuar edhe më tej me rënien e platformave shëndetësore të lidhura me e-Albania-n. Në të gjithë vendin, farmacitë nuk po arrijnë të ekzekutojnë receta elektronike, duke lënë mijëra pacientë pa ilaçet e domosdoshme. Edhe pse mjekët kanë lëshuar kodet përkatëse, farmacistët nuk kanë akses në sistem për të verifikuar emrin e barit, dozën apo sasinë, duke e bërë të pamundur shërbimin.
Po ashtu, janë raportuar probleme serioze në spitalet publike nga veriu në jug të vendit, ku për shkak të bllokimit të sistemeve digjitale janë penguar shërbimet ndaj pacientëve. Deri më tani, nuk ka asnjë njoftim zyrtar mbi shkaqet e ndërprerjes apo afatin e rikthimit në normalitet.
Kjo situatë ka rikthyer në vëmendje edhe kostot e larta të investimeve në qeverisjen digjitale. Vetëm në vitet e fundit, fondet për e-qeverisjen janë rritur ndjeshëm, duke arritur në qindra miliona euro, ndërsa pavarësisht këtyre shifrave, sistemi po rezulton i brishtë dhe i paaftë për të garantuar shërbime bazë në momente kritike. Për bizneset dhe qytetarët, pasojat janë të menjëhershme, ndërsa besimi te shërbimet digjitale po vihet seriozisht në pikëpyetje.
