Dënimi në Greqi nën lupë, Gjoka i drejtohet KLGJ-së: Nuk jam njoftuar kurrë, vendimi i 2005-s nuk është i formës së prerë

Data

Pas dy vitesh verifikime, Prokuroria e Përgjithshme ka konkluduar se gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, ka qenë e dënuar në Greqi për falsifikim vize, duke e cilësuar dënimin si të vërtetë dhe autentik. Ky përfundim ka hapur një debat të fortë institucional dhe publik, pasi rezulton se ky dënim nuk është deklaruar në formularin e vetëdeklarimit të vitit 2016, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Sipas dokumenteve zyrtare, Gjoka ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë e dënuar, as me vendim të formës së prerë dhe as me vendim jo të formës së prerë. Pas publikimit të gjetjeve të Prokurorisë, janë bërë publike edhe argumentet mbrojtëse të gjyqtares, të paraqitura në një shkresë drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në këtë shkresë, Gjoka sqaron se ngjarja lidhet me periudhën fundvit 2002 – fillim 2003, kur asaj iu ndalua hyrja në Greqi, pavarësisht se ishte pajisur me vizë nga konsullata greke në Shqipëri. Ajo e konsideron këtë veprim si të padrejtë dhe të pabazuar nga autoritetet greke.

Sa i përket dënimit të vitit 2005, me tre muaj burgim, 1500 euro gjobë dhe shpenzime gjyqësore, Gjoka pretendon se nuk ka qenë në dijeni të procesit gjyqësor dhe se vendimi është marrë në mungesë, pa praninë e saj dhe pa mbrojtës ligjor. Sipas saj, vendimi nuk i është njoftuar kurrë dhe për këtë arsye nuk ka marrë formë të prerë.

Gjyqtarja argumenton gjithashtu se, bazuar në legjislacionin grek të miratuar në qershor të vitit 2005, vendimi është arkivuar dhe konsiderohet i paqenë, duke mos prodhuar efekte juridike. Ajo thekson se dënimi nuk është regjistruar në regjistrin penal dhe, sipas interpretimit ligjor, efektet e tij janë të barasvlershme me shfajësimin.

Gjoka shprehet se vetëm pas publikimeve në media ka marrë dijeni për ekzistencën e vendimit dhe ka autorizuar përfaqësues për të siguruar informacion nga autoritetet greke. Çështja mbetet në shqyrtim nga institucionet përkatëse, ndërsa debati për pasojat ligjore dhe institucionale të këtij rasti vijon të jetë i hapur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related