DW: “Revolucioni i Flamingove” është kthyer në sfidën më të madhe politike për qeverinë shqiptare

Data

Protestat e përditshme që zhvillohen prej më shumë se tre javësh në Tiranë janë shndërruar në lëvizjen më të madhe qytetare në Shqipëri që nga rënia e komunizmit, shkruan Deutsche Welle në një analizë kushtuar zhvillimeve të fundit në vend.

Sipas medias gjermane, ajo që nisi si një reagim kundër projektit turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnec është zgjeruar në një lëvizje me kërkesa më të gjera politike, ku përfshihet edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Analiza thekson se Rama i ka interpretuar protestat si pjesë të një “lufte hibride”, duke argumentuar se ato janë ndikuar nga aktorë të jashtëm dhe manipulimi në rrjetet sociale. Në këtë kontekst, kryeministri ka përmendur edhe projektin turistik të Jared Kushner në Zvërnec, duke deklaruar se vëmendja ndërkombëtare u përqendrua te protesta për shkak të lidhjes me emrin e tij.

Studiuesja e komunikimit politik, Jonila Godole, vlerëson se retorika mbi ndikimet e huaja zhvendos fokusin nga kërkesat e protestuesve drejt identifikimit të “armikut të jashtëm”, një qasje që, sipas saj, kujton diskursin e periudhës komuniste.

Ndërkohë, akademiku Artan Fuga argumenton se rrjetet sociale dhe algoritmet mund të ndikojnë në përhapjen e informacionit, por nuk janë shkaku i pakënaqësisë qytetare.

“Teknologjia mund të ndikojë në mënyrën se si përhapet një protestë, por nuk krijon arsyet e protestës. Të ngatërrosh algoritmet me pakënaqësinë shoqërore do të thotë të ngatërrosh kanalin me burimin”, citohet të ketë deklaruar ai.

Politologu Blendi Kajsiu e konsideron lëvizjen si shprehje të një krize më të thellë të sistemit politik shqiptar, duke argumentuar se protestuesit bashkohen jo nga një ideologji e përbashkët, por nga bindja se modeli aktual politik nuk i përfaqëson më.

Analiza ndalet edhe te reagimi i Parlamenti Evropian, i cili në rezolutën e fundit për Shqipërinë ka shprehur shqetësim për zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosa–Nartë dhe ka kërkuar respektimin e standardeve mjedisore në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Sipas Deutsche Welle, debati mbi protestat ka kaluar tashmë kufijtë e Shqipërisë, duke u kthyer në një çështje që lidhet jo vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por edhe me demokracinë, sundimin e ligjit dhe procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related