Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në Durrës të Shqipërisë për Samitin rajonal Bërdo-Brioni, për të zhvilluar bisedime për të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian (BE). Tema e samitit të sivjetshëm do të jetë “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.
Takimi do të përqendrohet në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin. Derisa Kosova ngel vendi i vetëm nga rajoni që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE, Shqipëria ka shënuar përparim të madh kohëve të fundit duke i hapur shumicën e kapitujve të negociatave për anëtarësim, me vendet e tjera që kanë ngecur në këtë pikë.
Sa i përket Planit të Rritjes së BE-së, një paketë prej 6 miliardë eurosh e miratuar më 2023, të gjitha vendet e rajonit i kanë pranuar mjetet e para, ndërsa Kosova dhe Bosnja ende jo. Kosovës po i kushton mungesa e një Kuvendi të ri, pas zgjedhjeve të shkurtit, pasi i duhet ta ratifikojë marrëveshjen e nevojshme fillimisht, ndërsa Bosnja s’e ka dorëzuar ende agjendën e kërkuar të reformave tek autoritetet evropiane.
