Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e radhës për dosjen “Partizani”, ku i pandehur kryesor është ish-kryeministri Sali Berisha.
Gazetarja Klodiana Lala bëri me dije se avokatja Klodiana Gjyzari po paraqet parashtrimet e mbrojtjes, duke kundërshtuar provat e paraqitura nga SPAK në këtë çështje.
Gjatë seancës së sotme pritet që avokatët e palës mbrojtëse të dorëzojnë edhe listën e dëshmitarëve që kërkojnë të thirren dhe të pyeten në kuadër të procesit gjyqësor.
Në sallë u përmend gjithashtu çështja e përfitimeve të pretenduara nga Berisha në lidhje me vizitën e një artisti të huaj, Riccardo Cocciante, i cili përmendet në aktakuzë. Sipas mbrojtjes, falja e gjobave apo favorizimi i kompanive para fushatave elektorale nuk përbën shkelje penale, ndërsa vlerësimi i këtyre elementëve i takon Prokurorisë së Posaçme.
Avokatja përmendi edhe deklarata publike të kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se, sipas saj, ato përbëjnë thirrje publike për ndjekje penale ndaj Berishës.
Procesi vijon, ndërsa në seancat në vijim pritet të përcaktohet administrimi i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve.
