Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar ashpër nga Strasburgu, ku po merr pjesë në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke akuzuar qeverinë Rama për kapje të shtetit dhe pengim të drejtësisë.
Sipas Vokshit, Shqipëria është shndërruar në një autokraci elektorale, ku opozita persekutohet, ndërsa zgjedhjet manipulohen me mbështetjen e drejtpërdrejtë të krimit të organizuar. Ajo deklaroi se delegacioni i PD-së ka paraqitur para partnerëve ndërkombëtarë prova dhe fakte konkrete mbi manipulimin e zgjedhjeve dhe përfshirjen e bandave kriminale në procesin zgjedhor.
“Krimi i organizuar ka mbështetur 28 kandidatë dhe 25 prej tyre sot janë deputetë në Kuvend. Kjo është alarmante dhe përbën rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën,” u shpreh Vokshi, duke shtuar se bandat dhe kartelet e drogës ndikojnë në emërimin e drejtuesve të policisë, ministrave, gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Deputetja demokrate akuzoi qeverinë se po pengon hetimin e dosjeve të mëdha të korrupsionit, përfshirë çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe aferën e inceneratorëve. Sipas saj, Shqipëria është kthyer në një parajsë për pastrimin e parave, ku fondet e krimit të organizuar pastrohen në ekonomi dhe më pas qarkullojnë në vendet e Bashkimit Europian.
Vokshi theksoi se këto shqetësime janë ngritur edhe në komisionet e monitorimit të Këshillit të Europës, duke paralajmëruar se opozita do të vijojë informimin e institucioneve ndërkombëtare në kohë reale për çdo zhvillim që lidhet me korrupsionin, kapjen e drejtësisë dhe kriminalizimin e politikës në Shqipëri.
