Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar ndaj propozimit të fundit të Iranit për t’i dhënë fund konfliktit, duke u shprehur se nuk është i kënaqur me përmbajtjen e tij dhe duke ngritur dyshime mbi gatishmërinë e Teheranit për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se pavarësisht disa përparimeve në negociata, mbeten ende “mosmarrëveshje të jashtëzakonshme” mes palëve dhe sidomos brenda vetë udhëheqjes iraniane, të cilën ai e cilësoi si të paqëndrueshme dhe të përçarë.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje, por unë nuk jam i kënaqur me propozimin e fundit”, deklaroi ai, pa dhënë detaje konkrete mbi pikat e kundërshtimit.
Presidenti amerikan theksoi se SHBA-ja përballet me dy alternativa kryesore në raport me Iranin: zgjidhje diplomatike ose ndërhyrje ushtarake. Ai nuk e përjashtoi përdorimin e forcës, por nënvizoi se preferon një rrugë paqësore.
“Këto janë mundësitë: a duam të hyjmë me forcë dhe t’i shkatërrojmë, apo të bëjmë një marrëveshje”, u shpreh Trump, duke shtuar se ka marrë edhe një përditësim nga strukturat ushtarake amerikane për opsionet në dispozicion.
Megjithatë, ai la të kuptohet se një përshkallëzim ushtarak nuk është zgjedhja e tij e parë. “Në një bazë njerëzore, do të preferoja jo”, tha ai, duke theksuar se diplomacia mbetet alternativa e dëshiruar, pavarësisht tensioneve në rritje.
