Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se ka pezulluar një sulm ushtarak ndaj Iran, i cili sipas tij ishte planifikuar të niste të nesërmen.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se vendimi për shtyrjen e operacionit erdhi pas kërkesave të liderëve të Qatar, Saudi Arabia dhe United Arab Emirates, të cilët argumentuan se aktualisht po zhvillohen negociata serioze për një marrëveshje me Teheranin.
Sipas presidentit amerikan, Emir i Katarit Tamim bin Hamad Al Thani, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman dhe Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Mohamed bin Zayed Al Nahyan i kërkuan që të shtyjë ndërhyrjen ushtarake për t’i dhënë hapësirë diplomacisë.
Trump theksoi se marrëveshja e mundshme duhet të garantojë që Irani të mos zotërojë armë bërthamore.
Megjithatë, ai paralajmëroi se ushtria amerikane mbetet në gatishmëri të plotë në rast se negociatat dështojnë.
“Kam udhëzuar Sekretarin e Luftës Pete Hegseth, Kryetarin e Shtabit të Përbashkët Gjeneral Daniel Caine dhe Ushtrinë e SHBA-së që të mos e kryejnë sulmin nesër, por të jenë të përgatitur për një sulm të plotë dhe në shkallë të gjerë ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme”, shkroi Donald Trump.
Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe pas paralajmërimeve të vazhdueshme të Uashingtonit lidhur me programin bërthamor iranian dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit.
