Në një takim me anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike në njësinë nr. 9 në Tiranë, ish-deputeti Asllan Dogjani kritikoi ashpër qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar situatën politike në vend si një “diktaturë moderne” që po përdor frikën dhe propagandën për të kontrolluar qytetarët dhe opozitën.
Dogjani falënderoi strukturat e PD-së në njësitë 8 dhe 9 për angazhimin e tyre në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit, duke i quajtur “heronjtë e Partisë Demokratike”. Ai tha se përballë opozitës ishin “shteti, banditët, paratë dhe krimi”, të cilët — sipas tij — u vunë në shërbim të mazhorancës gjatë garës elektorale.
“Në këtë diktaturë, në çdo vend tjetër, ne do të ishim përgjysmuar. Por ju qëndruat, luftuat dhe treguat se PD-ja ka njerëz të palodhur,” u shpreh Dogjani.
Sipas tij, kryeministri Rama nuk lufton për përmirësimin e jetës së qytetarëve, por “bën luftë të përditshme kundër opozitës” me qëllim që t’i frikësojë shqiptarët dhe t’i detyrojë të largohen nga vendi. Ai akuzoi qeverinë për korrupsion masiv dhe përpjekje sistematike për të përçarë shoqërinë.
“Nuk do të përkulemi, nuk kemi frikë”
Duke bërë thirrje për unitet, Dogjani deklaroi se demokratët nuk do të ulin kokën përballë “hajdutëve dhe kriminelëve”. Ai tha se opozita duhet të hapet më shumë, të afrohet me qytetarët dhe të organizohet në çdo strukturë, seksion e grup-seksion.
“Ne nuk jemi skllevër. Duhet të jetojmë me dinjitet në vendin tonë. Ne nuk i kemi frikë as hajdutët, as kriminelët,” tha ai.
Dogjani theksoi se momenti aktual kërkon më shumë bashkim se ndarje, pasi sipas tij “Shqipëria rrezikon të shpërbëhet si komb”.
Ai përmendi edhe ligjin e ri për lustracionin (ligjin e gjinisë, siç u referua në fjalën e tij), duke falënderuar Sali Berishën për vendimin për ta çuar atë në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se cenon parimin e prezumimit të pafajësisë.
“Rama ka shitur Shqipërinë, fundi i regjimit është afër”
Në vijim, Dogjani e akuzoi kryeministrin Rama se “ka shitur sovranitetin e vendit” dhe se është “i gatshëm të bëjë gjithçka për karrigen e tij”.
“Edi Rama është kriminel ndaj shqiptarëve dhe servil ndaj ndërkombëtarëve,” u shpreh ai, duke theksuar se qeveria “ka ditët e fundit”.
Dogjani përfundoi fjalën e tij me një mesazh optimist për mbështetësit, duke thënë se me bashkim dhe me Sali Berishën në krye të opozitës, ndryshimi është i pashmangshëm.
Fjalimi u përgëzua edhe nga vetë Sali Berisha, i cili e vlerësoi angazhimin e Dogjanit gjatë fushatës si një “model të veçantë”.
