Mes tensioneve dhe debateve të forta, mbrëmjen e së mërkurës në studion e “Top Story”, përpos rrëzimit të masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-kryeministrn Sali Berisha, u diskutua gjerë e gjatë edhe për megaoperacionin e zhvilluar përgjatë ditëve të fundit nga SPAK në qytetin e Elbasanit, ku arriti të “zbërthejë nga rrënjët” organizatën kriminale të Suel Çelës e cila kishte marrë pranë vetes jo vetëm njerëz të drejtësisë, por edhe të medias.
Pjesë e panelit ishte dhe analisti Arian Curri i cili bëri një deklaratë të fortë dhe tërthorazi përfshiu emrin e një tjetër gazetari të cilit sipas tij së shpejti do t’i dalë emri në dosjet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Curri foli për gazetarë të tjerë të përfshirë sipas tij që kanë marrë para nga krimi i organizuar, konkretisht janë “paguar me lekët e vjedhjes së Rinasit”. Ndonëse, ai preferoi që akuzës së tij mos t’i vendosë emër përmbi, la të kuptohet që bëhet fjalë për gazetarin e njohur Spartak Koka.
Kjo deklaratë e analistit ka sjellë dhe një revoltë në komunitetin e gazetarëve. Së fundmi ka qenë Juli Kasapi i cili i është referuar Curri si “prifti gazetar” dhe një fatkeqësi për median shqiptare që i jepet zë.
“Curri nuk përmendi emrin e gazetarit e siç bëhet rëndom për ca klikime e çoi më tej akuzën duke thënë se gazetari ka marrë para në këmbim të një interviste me një të shumëkërkuar që ka vjedhur paratë e Rinasit. Të dëgjosh Currin që flet me kompetencën e një ligjvënësi alias gjyqtari alias prokurori është shumë pak se sa thjesht një masë arresti nga ato që lexohen gjyqeve por më duhet të perifrazoj një të ftuar dje në mbrëmje (Gjekmarkaj) teksa i tha: “sheh rrushi rrushin e piqet e sheh curri currin e piqet”.
