Kur Presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën për herë të dytë në janar, dy prej mbështetësve më me peshë të tij do të kenë një portofol të ri, të krijuar për të ulur shpenzimet e qeverisë dhe për të përmirësuar efektivitetin e saj. Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë, i cili pavarësisht nga emri i tij, ka të ngjarë të jetë një organizëm këshillues dhe jo një departament federal, do të drejtohet bashkarisht nga themeluesi i kompanive Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, dhe ish-kandidati republikan për president, biznesmeni Vivek Ramaswamy.
Emri i nismës, të njohur me akronimin DOGE, duket të jetë produkt i sensit të humorit të zotit Musk, njeriut më i pasur në botë. Ai prej kohësh ka pasur interes për një kriptomonedhë të njohur si Dogecoin. Dy bashkëkryetarët Musk dhe Ramaswamy kanë caktuar 4 korrikun 2026 – 250 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara – si afatin për përfundimin e punës së tyre, e cila pritet të shtrihet në të gjitha aspektet e qeverisë federale, për të shkurtuar shpenzimet dhe eliminuar burokracinë.
Premtime të mëdha
Në deklaratën që njoftonte krijimin e nismës DOGE, zoti Trump shprehej se ajo “do t’i hapte rrugën administratës së tij për të eliminuar burokracinë qeveritare dhe rregulloret e tepërta, për të shkurtuar shpenzimet e panevojshme dhe për të ristrukturuar agjencitë federale”. Zoti Musk ka spekuluar publikisht se ekziston mundësia të identifikohen rreth 2 trilionë dollarë buxhetin federal që mund të shkurtohen. Kjo do të përbënte gati një të tretën e 6.1 trilionë dollarëve që qeveria federale shpenzoi në vitin fiskal 2023 dhe nuk mund të realizohet pa reduktime drastike në shërbimet dhe programet qeveritare.
Zoti Ramaswamy ka lënë të kuptohet se janë pikërisht shkurtime të tilla ato që do të sugjerojnë ai dhe zoti Musk. Në një intervistë në Fox News të dielën, ai u pyet nëse ata synojnë të mbyllin departamente të tëra qeveritare. Ai u përgjigj:
“Ne parashikojmë reduktime masive. Parashikojmë që disa agjenci të mbyllen plotësisht. Presim reduktime masive mes punonjësve aty ky qeveria federale është e fryrë. Presim shkurtime masive mes kontraktorëve federalë dhe të tjerëve, të cilët po abuzojnë me fondet e qeverisë federale.”
“Unë mendoj se njerëzit do të befasohen nga shpejtësia me të cilën do të veprojmë për disa nga këto ndryshime.”
Precedenti i kohës së Presidentit Regan
Organizatat që mbështesin një mbikëqyrje më rigoroze të shpenzimeve federale treguan një optimizëm të matur lidhur me krijimin e departamentit të ri. Tom Schatz, president i organizatës “Qytetarët Kundër Shpërdorimeve Qeveritare”, i tha Zërit të Amerikës se DOGE do të përbëjë herën e parë “që sektori privat bën një rishikim të rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës të qeverisë federale” që kur Presidenti Ronald Regan krijoi Komisionin ‘Grace’, synimi i të cilit ishte të rekomandonte përmirësime në efikasitetin e qeverisë në vitin 1982. Se sa ndikim do të ketë DOGE, tha zoti Schatz, do të varet nga një numër faktorësh jashtë kontrollit të komisionit.
