Balerini i njohur shqiptar, Kledi Kadiu, ka ndarë një nga rrëfimet më të ndjera të jetës së tij personale, duke folur për familjen, dy fëmijët dhe veçanërisht për djalin e tij, Gabrielin, i cili u përball me një sëmundje të rëndë vetëm 11 ditë pas lindjes.
Në një intervistë televizive, Kadiu tregoi fillimisht emocionet e lindjes së vajzës së tij, Lea, e cila sot është pjesë e pandashme e jetës së tij artistike.
“Kur e mora për herë të parë në krah, kisha frikë se mos e dëmtoja. Ishte e vogël, e brishtë, e butë. Janë momente që mbeten përgjithmonë në kujtesën e një prindi,” u shpreh ai.
Lea sot e shoqëron shpesh të atin në evente dhe udhëtime artistike, ndërsa ka zgjedhur të merret me hip-hop, duke ndjekur rrugën e saj dhe jo baletin klasik.
Por jeta e familjes Kadiu ndryshoi rrënjësisht pas lindjes së djalit të tij, Gabrielit, në gusht të vitit 2021. Vetëm 11 ditë pas ardhjes në jetë, foshnja u shtrua me urgjencë në spital, në reanimacion me kod të kuq.
“Gjithçka shkoi mirë deri në një moment. Papritur, diçka ndryshoi. Një virus shumë i rrallë, një rast një në 70 mijë, kaloi nga hunda në tru dhe shkaktoi dëmtime serioze,” rrëfeu Kadiu.
Ai e përshkroi pritjen jashtë urgjencës si momentin më të vështirë të jetës së tij. “Ajo pritje ishte shkatërruese. Pyesja veten pse duhej të ndodhte kjo. Jo pse mua, por pse djalit tim.”
Festimi për ardhjen e një fëmije u shndërrua në dhimbje dhe pasiguri. Megjithatë, Gabrieli ia doli të mbijetojë dhe sot ndjek kopshtin, duke bërë një jetë sa më normale, megjithëse ka nevojë për mbështetje shtesë.
Kadiu tregoi se djali i tij ende nuk ecën dhe ka vështirësi në të folur, por shpresa e familjes mbetet e fortë.
“Teknologjia ka avancuar shumë. Ka lajme të mira, jo vetëm për Gabrielin, por për mijëra fëmijë si ai. Shpresa është shumë e lartë,” tha ai.
Balerini theksoi se kjo përvojë e ka forcuar lidhjen me bashkëshorten e tij, Sharlotën, duke e përshkruar atë si shtyllën kryesore të familjes në momentet më të vështira.
“Unë pyesja ‘pse’, ajo ishte më e fortë. Sot jemi më të lidhur se kurrë dhe e dimë qartë rrugën që duhet të ndjekim për fëmijët tanë.”
Edhe vajzës së tyre, Leas, i është shpjeguar situata e vëllait në mënyrë të thjeshtë dhe njerëzore.
“I kemi thënë që Gabrieli ka pasur një dhimbje koke shumë të madhe kur ishte i vogël dhe se disa gjëra do rregullohen me kohën. Ajo e kupton, e përqafon, i jep puthje çdo mëngjes. Dashuria mes tyre është e jashtëzakonshme,” tregoi Kadiu.
Rrëfimi i tij është një histori force, dhimbjeje dhe shprese, që prek jo vetëm prindërit, por këdo që përballet me sfida të papritura në jetë.
