2 maji duket si “dita e makthit” për presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik. Atë ditë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara duhet të shqyrtojë një propozim për një rezolutë që kujton gjenocidin e kryer në Srebrenicë në vitin 1995 dhe përsëri dënon atë krim. Në kalendarin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, 2 maji shënohet si data në të cilën raporti i Sekretarit të Përgjithshëm i kushtohet ndërtimit të një kulture paqeje, pra “promovimit të kulturës së paqes dhe dialogut ndërfetar e ndërkulturor. Si pjesë e kësaj pike, pritet një diskutim për rezolutën me rastin e 29-vjetorit të krimit në Srebrenicë, ku në korrik 1995, anëtarët e ushtrisë dhe policisë serbe të Bosnjës vranë më shumë se tetë mijë burra dhe djem boshnjakë pasi pushtuan zona nën mbrojtjen e OKB-së. Debati i pritshëm për atë dokument ka shkaktuar tensione të reja në rajon dhe ka “mobilizuar” dy liderët.
Rezoluta për gjenocidin
Të enjten, udhëheqësi serb në BiH Milorad Dodik shprehu gatishmërinë e tij për të vizituar Qendrën Përkujtimore të Potoçarit në Srebrenicë dhe për të vendosur lule në memorialin e përbashkët të ngritur në kujtim të masakrës së boshnjakëve në luftë, por ai përsëri mohoi që gjenocid të ketë ndodhur atje. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Republika Srpska, presidenti Dodik njoftoi se qeveria dhe e gjithë udhëheqja e këtij entiteti do të ulen në Srebrenicë më 2 maj 2024, kur do të zhvillohet një debat para Kombeve të Bashkuara dhe pritet votimi për Rezolutën, duke dënuar gjenocidin në atë qytet në verën e vitit 1995. Rezoluta mbështetet nga rreth 20 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë dhe pritet miratimi i saj. Qëllimi është ndërkombëtarizimi i vuajtjeve të boshnjakëve në Srebrenicë.
Provokimi
Zyrtarët kryesorë serbë nga Beogradi dhe Banja Luka, presidentët Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik pohojnë se kjo është një përpjekje për t’ia vënë fajin popullit serb për gjithçka. “Republika Srpska nuk do ta pranojë rezolutën për Srebrenicën, e cila do të vendoset në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, sepse gjithçka që shkruhet në të është gënjeshtër. BiH nuk mund të jetojë në bazë të asaj që një komb në të është cilësuar si gjenocid dhe tjetri fitimtar”, tha Dodik. Megjithatë, ai shprehu gatishmërinë e tij për të bërë homazhe për viktimat e masakrës në Srebrenicë. “Nëse na jepet mundësia në datën 2 maj do t’i çojmë kurorat në Potoçare nëse nuk ofendon askënd. Nuk kam frikë se mund të përfundoj si Vuçiç që erdhi për të nderuar viktimat, shpreh ngushëllimet e tij, por mori një gur në kokë dhe askush për këtë nuk iu përgjigj”, theksoi Dodik. Ai beson se rezoluta për Srebrenicën ende nuk do të marrë shumicën e nevojshme në seancën planifikuar.
Sulmi ndaj Perëndimit
“Një lojë të madhe”, kështu e ka quajtur ppresidenti serb, nga ana tjetër, gjithçka që po ndodh në OKB. “Gjithçka po zien”, ka thënë Vuçiç, duke shtuar se përfaqësuesit e Serbisë në misionin e OKB-së janë duke luftuar dhe duke punuar shumë. “Ne po bëjmë gjithçka mundemi, më shumë se sa është realiste… Nëse sot në Vjenë amerikanët dhe gjermanët numëruan votat e tyre kundër Serbisë, nëse ata janë duke bërë një listë shtytëse – dhe kjo ju tregon diçka. A e dini kur do ta kishin bërë këtë nëse Serbia nuk do të kishte bërë punë të mirë këtu”, tha Vuçiq dhe shtoi se gjithmonë mund të humbni, por ajo që ka rëndësi është se sa fort keni luftuar. “Sa herë që ka diçka në rajonin tonë, kur nuk pranon shantazhin e dikujt, je faktor destabilizimi. Kur mbroni interesat e popullit tuaj, ju jeni problemi i tyre. Unë jam bërë problemi më i madh sepse nuk lejoj të nëpërkëmbet Serbia dhe serbët. Ata janë në gjendje të shkelin Marrëveshjen e Dejtonit”, shpjegoi ai kur u pyet për komentet e gazetarëve të caktuar nga rajoni për aktivitetet diplomatike dhe deklaratat e tij në Nju Jork. Vuçiç theksoi se edhe amerikanët e dinë se kjo është një shkelje brutale e Marrëveshjes së Dejtonit dhe për këtë arsye i lanë të ikin gjermanët, të cilëve nuk u intereson realisht.
