Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në të ashtuquajturin Bord i Paqes është shndërruar në një nga skandalet më të rënda institucionale të viteve të fundit, duke ekspozuar Kuvendin dhe Kryeministrin Edi Rama ndaj akuzave për shkelje të hapura kushtetuese. Parlamenti shqiptar ka miratuar një marrëveshje që, në thelb, nuk ekziston juridikisht, pasi mungon elementi themelor: firma e palës shqiptare.
Nisma për Bordin e Paqes, e promovuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, u paraqit nga qeveria si një sukses diplomatik dhe një hap strategjik për forcimin e rolit ndërkombëtar të Shqipërisë. Por realiteti rezulton krejt tjetër. Ndryshe nga shtetet e tjera pjesëmarrëse, Shqipëria nuk ka një dokument të nënshkruar mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit amerikan, çka e bën të pavlefshëm çdo akt ratifikimi nga Kuvendi.
Fakti që Rama nuk ishte i pranishëm në Davos, aty ku u firmosën marrëveshjet nga liderët e tjerë, ka prodhuar një boshllëk ligjor të pakapërcyeshëm. Pa firmën e kryeministrit, Kuvendi nuk kishte asnjë bazë kushtetuese për të hyrë në procedurë ratifikimi. Megjithatë, mazhoranca zgjodhi të ecë përpara, duke votuar një marrëveshje “fantazëm”, pa ekzistencë juridike.
Skandali thellohet edhe më tej nga mënyra se si u zhvillua procedura parlamentare. Komisioni përkatës u mblodh pas seancës plenare, duke përmbysur rendin normal ligjvënës. Deputetët u vunë përpara një fakti të kryer, pa dokumentacion të plotë dhe pa kohën e nevojshme për shqyrtim serioz. Shqyrtimi nen për nen, i detyrueshëm për marrëveshje ndërkombëtare që krijojnë angazhime shtetërore, u kthye në një formalitet bosh.
Edhe procedura e përshpejtuar u përdor në kundërshtim me afatet dhe kriteret kushtetuese, ndërsa deri pas votimit marrëveshja nuk ishte publikuar as në Fletoren Zyrtare. Në këtë mënyrë, Kuvendi u reduktua në një mekanizëm formal vulosjeje për një vendim politik të Kryeministrit, pa respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e tij kushtetues.
Reagimet opozitare kanë qenë të forta. Juristë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike kanë theksuar se ratifikimi është nul, pasi Kushtetuta parashikon qartë se Kuvendi mund të miratojë vetëm marrëveshje të nënshkruara më parë nga autoriteti kompetent. Në këtë rast, Presidenti i Republikës kishte autorizuar Kryeministrin për firmosje, por kjo firmë nuk ekziston.
Sipas opozitës, Kuvendi hyri në një proces juridikisht të pakuptimtë, duke votuar një dokument që nuk ishte nënshkruar dhe që nuk kishte prodhuar ende asnjë efekt ndërkombëtar. Ky precedent, paralajmërojnë juristët, e ekspozon vendimin ndaj rrëzimit në Gjykatën Kushtetuese dhe dëmton seriozisht besueshmërinë institucionale të shtetit shqiptar.
Në thelb, problemi nuk është ideja e Bordit të Paqes, por mënyra se si Kryeministri Edi Rama e përdori politikisht këtë nismë për të thyer izolimin personal ndërkombëtar, duke sakrifikuar rregullat kushtetuese dhe seriozitetin e institucioneve. Ajo që duhej të ishte një akt diplomatik, u kthye në një manovër politike të brendshme, me kosto të lartë për shtetin dhe ligjshmërinë.
Në fund, Shqipëria rezulton me një “marrëveshje” të votuar, por jo të nënshkruar, një akt që në gjuhën juridike quhet thjesht: nul.
