Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke e cilësuar momentin aktual si “ditën e llogarisë” për institucionet dhe qeverinë.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se vendi ndodhet në një fazë vendimtare, ku sipas saj nuk mjaftojnë deklaratat politike, por kërkohen rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve të Bashkimi Evropian.
Ajo ngre shqetësimin se korrupsioni në vend ka marrë përmasa sistemike, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si shpërndahet pasuria publike dhe si funksionon konkurrenca në ekonomi. Sipas saj, ky model dëmton zhvillimin ekonomik dhe pengon përparimin drejt integrimit.
Një tjetër çështje që ajo thekson është funksionimi i shtetit të së drejtës, duke vënë në pikëpyetje barazinë para ligjit dhe duke paralajmëruar për ndikime të mundshme në proceset hetimore përmes ndryshimeve ligjore.
Në aspektin ekonomik, Tabaku nënvizon një hendek të theksuar mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Sipas saj, të ardhurat e shqiptarëve mbeten rreth 20% e mesatares europiane, ndërkohë që çmimet kanë arritur në rreth 60% të nivelit të BE-së, duke rënduar ndjeshëm koston e jetesës për qytetarët.
Në përfundim, deputetja kritikon qëndrimet e qeverisë ndaj drejtësisë dhe integrimit, duke sugjeruar se ndryshimet në retorikë nuk përkthehen domosdoshmërisht në ndryshime reale në praktikë, në një moment që ajo e cilëson kyç për të ardhmen europiane të vendit.
