Media italiane: Financimi i koncertit të Kanye West me 4 mln euro thellon debatet politike në Shqipëri

Data

Koncerti i reperit amerikan Kanye West, i planifikuar të mbahet të shtunën në Tiranë, vijon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Media italiane i ka kushtuar hapësirë polemikave që kanë shoqëruar organizimin e aktivitetit, duke raportuar për debatet mbi mënyrën e financimit të tij.

Sipas raportimeve, qeveria shqiptare akuzohet nga kundërshtarët politikë dhe protestuesit se ka përdorur mbi 4 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit, i destinuar zakonisht për përballimin e emergjencave, për të mbështetur zhvillimin e koncertit, pasi shitja e biletave nuk ka arritur pritshmëritë.

Artikulli thekson se vendimi ka nxitur reagime të forta në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë prej javësh dhe pjesë e opinionit publik kërkon që fondet publike të përdoren për prioritete të tjera sociale dhe ekonomike.

Sipas medias italiane, kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur organizimin e koncertit, duke argumentuar se aktiviteti pritet të tërheqë mijëra turistë të huaj dhe të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme për ekonominë shqiptare. Sipas deklarimeve të tij, eventi mund të sjellë rreth 25 mijë vizitorë dhe një ndikim pozitiv për sektorin e turizmit.

Në raportim vihet në dukje edhe fakti se Kanye West ka qenë një figurë kontroverse në vitet e fundit për shkak të deklaratave të tij publike, ndërsa disa vende kanë anuluar ose kufizuar aktivitetet e tij artistike.

Ndërkohë, opozita dhe protestuesit e konsiderojnë financimin e koncertit një shembull të përdorimit të papërshtatshëm të fondeve publike, ndërsa qeveria këmbëngul se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të shmangur anulimin e aktivitetit dhe për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë si destinacion ndërkombëtar për evente të mëdha.

Debati mbi koncertin e Kanye West mbetet një nga temat kryesore të diskutimit publik në Shqipëri, ndërsa polemikat pritet të vijojnë edhe pas zhvillimit të aktivitetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related