Gazetari Genc Burimi ka komentuar letrën publike të deputetes socialiste Elisa Spiropali, duke u ndalur te akuzat për korrupsion dhe pretendimet për një “parti-shtet”.
Burimi deklaroi se, nëse Spiropali apo persona të tjerë që ajo përfaqëson kanë prova për abuzime, ato duhet t’i paraqesin në institucionet e drejtësisë dhe jo të mbeten vetëm në deklarata publike.
Sipas tij, letra përmban konstatime të forta për mënyrën e funksionimit të shtetit dhe për korrupsionin, por mungojnë propozimet konkrete për zgjidhjen e problemeve.
“Thoni se ka korrupsion, se ka abuzime nga zyrtarë të lartë, se ka parti-shtet. Keni prova? Keni fakte? Atëherë mos rrini duke bërë opinion, por shkoni në drejtësi dhe tregoni çfarë dini”, u shpreh Burimi.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e formulimit të letrës, duke ngritur pyetjen se kë përfaqëson Spiropali kur përdor shumësin në deklaratat e saj.
Sipas gazetarit, dokumenti përmban më shumë analiza dhe akuza sesa një plan konkret ndryshimi.
“Është një letër që konstaton gjëra të rënda, por nuk sjell zgjidhje konkrete. I vetmi propozim i qartë është ndryshimi i sistemit zgjedhor”, tha ai.
Burimi shtoi se, nëse akuzat lidhen me çështje penale, rruga duhet të jetë drejtësia dhe jo vetëm debati politik.
“Në vend të një marrëveshjeje me Shqipërinë, duhet të ketë një marrëveshje me drejtësinë”, deklaroi gazetari, duke shtuar se personat që pretendojnë se kanë dijeni për shkelje duhet të marrin përgjegjësi dhe të japin informacionet përkatëse.
