Situata para Kryeministrisë ka dalë jashtë kontrollit, teksa ndërhyrja e Policisë së Shtetit për largimin e çadrave të protestuesve të lëvizjes “Shqipëria Bëhet” u shoqërua me përplasje të forta dhe lëndime fizike.
Efektivët e policisë ndërhynë me forcë duke shkulur çadrat e ngritura prej 28 ditësh nga aktivistët në bulevard, si dhe duke larguar bombola gazi, karrige dhe sende personale të protestuesve. Aksioni u shoqërua me shtyrje, tensione verbale dhe përplasje trup më trup.
Gjatë ndërhyrjes, disa protestues mbetën të lënduar, mes tyre edhe Adriatik Lapaj, kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, i cili u pa i dëmtuar pas përplasjes me forcat e rendit. Pas largimit të protestuesve, policia u pozicionua përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa në rrugë mbetën të shpërndara sendet personale të aktivistëve.
Pamjet nga vendngjarja treguan një situatë kaotike, me çadra të shkulura, pajisje të hedhura në asfalt dhe protestues që tentonin të mbronin hapësirën ku kishin qëndruar për gati një muaj në shenjë rezistence qytetare.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, Lapaj iu drejtua mbështetësve me thirrje për të mos u tërhequr, duke i ftuar që të rikthejnë çadrat dhe sendet e nevojshme për të vijuar qëndresën. Ai paralajmëroi gjithashtu organizimin e një tjetër proteste, e cila pritet të zhvillohet brenda dy javësh.
Ngjarja ka ndezur debate të forta mbi përdorimin e forcës ndaj protestës paqësore dhe ka rritur tensionet politike në kryeqytet, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe e paqëndrueshme.
