Alarm moti në të gjithë vendin! Reshjet e shiut vijojnë deri më 7 janar, rrezik për përmbytje dhe probleme në akset malore

Data

Moti i keq do të vijojë të përfshijë territorin e vendit edhe në ditët në vijim, me reshje shiu që pritet të zgjasin deri më 7 janar, duke shtuar rrezikun për përmbytje, shembje dherash dhe vështirësi në qarkullim.

Në Qarkun e Shkodrës, të gjitha rrugët janë aktualisht të kalueshme, përfshirë akset Bogë–Theth dhe Tamarë–Vermosh, ku ka pasur reshje dëbore. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të pajisen me goma dimërore, veçanërisht në zonat malore.

Problematika vijon të mbetet në zonat Prekal–Kir, ku shembjet e dherave kanë vështirësuar lëvizjen. Grupet e emergjencës janë në terren për të nxjerrë nga izolimi banorët, të cilët për momentin përdorin rrugë alternative përmes Thethit për të arritur në zonat urbane.

Në disa fshatra të Malësisë së Madhe, përfshirë Zagorë, Vrakë dhe Kelmend, janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të erës së fortë dhe reshjeve. Ekipet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit.

Pas një fillimi viti me temperatura nën zero dhe dëborë, vendi është futur tashmë në një fazë reshjesh intensive shiu. Sipas parashikimeve, qarqet më të rrezikuara mbeten Shkodra dhe Kukësi, ndërsa edhe Vlora pritet të përballet me reshje të dendura gjatë ditës së hënë, që mund të sjellin përmbytje lokale.

Në Tiranë, Elbasan, Korçë, Fier dhe Berat, reshjet do të jenë të intensitetit mesatar, por autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, sidomos pranë lumenjve, zonave me rrezik rrëshqitjeje dhe gjatë udhëtimeve.

Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri dhe apelojnë që qytetarët të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat problematike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related