Procesi për zgjedhjen e presidentit të ri në Kosovë ka dështuar, pasi Kuvendi nuk arriti të sigurojë kuorumin e nevojshëm për të vijuar votimin.
Seanca e jashtëzakonshme u zhvillua në orët e fundit të afatit kushtetues, por në sallë ishin të pranishëm vetëm deputetët e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa deputetët e opozitës dhe ata të Lista Serbe munguan.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi se në sallë nuk kishte numrin e nevojshëm të deputetëve për të vazhduar procedurën.
“Nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë u bëra apel deputetëve që mungojnë të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ajo.
Pas ndërprerjes së seancës, Haxhiu bëri të ditur se Kuvendi i është drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procedurës së zgjedhjes së presidentit.
Ajo theksoi se është kërkuar edhe vendosja e një mase të përkohshme për pezullimin e afateve kushtetuese që lidhen me këtë proces, deri në publikimin e vendimit të Gjykatës.
Sipas saj, për këtë kërkesë është njoftuar edhe presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani.
