Lufta dhe presioni amerikan për të nxjerrë jashtë politike (loje) ish-kryeministrin Sali Berisha të shpallur “non-grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit si i përfshirë në korrupsion e minues i demokracisë, duket se ka dështuar. Edhe pse më mënyrë sistematike zyrtarët të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadës së SHBA në Tiranë kanë apeluar që politikanët në Shqipëri të distancohen nga personat që janë në “listën e zezë” të DASH, apel ky që nënkupton Sali Berishën, nuk ka ndodhur aspak kështu, pasi ish-kryeministri ndonëse ndodhet në “arrest shtëpie”, është pjesë e lojës dhe madje ka dalë hapur se po bën negociatat me kryeministrin Edi Rama, me të cilin ka nisur pazaret qysh në vitin 2008, fill pas tragjedisë së “Gërdecit”, nga ku të dy së bashku i hapën rrugë ndryshimeve kushtetuese PD-PS, skemë e cila është realitet sot që flasim.
Prapaskenat
Kemi mësuar se sebepi që Rama dhe Berisha janë afruar me njëri-tjetrin është kaosi që ndodhet Kuvendi për më shumë se 4 muaj, ku për t’i dhënë fund kësaj situate të pazakontë, Partia Socialiste dhe Rithemelimi i Sali Berishës kanë nisur negociatat në prapaskenë. Kryetari i grupit parlamentar i Rithemelimit, Gazment Bardhi dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Bledar Çuçi kanë pasur biseda të shumta mes tyre, ndërsa PS po mendon që të bëjë një sërë lëshimesh për opozitën, qoftë për komisionet hetimore, ashtu dhe për çështje të tjera. Një ndër to është amnistia penale, ku synohet që të falen të dënuarit e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), si dhe ecuria e Reformës Zgjedhore. Por, një tjetër çështje tejet sensitive që mund të gjejë dakordësi dhe marrë bekimin Rama-Berisha, është ajo e planit ogurzi për të bllokuar (kontrolluar) SPAK. Si Rama, ashtu dhe Berisha e dinë që janë subjekt i Prokurorisë së Posaçme dhe përballja me drejtësinë herët apo vonë do të vijë. Deputeti socialist, Eduard Shalsi pak kohë më parë e pranoi hapur se Partisë Socialiste po shqyrton mundësinë për të ridimensionuar rolin kontrollues të Kuvendit për institucionet e varura prej tij. Kjo do të thotë se do rritet roli kontrollues, përfshirë këtu dhe paralizimi i punës së SPAK. Plani i PS është që të ngrihet një komision ad hoc, pra me anëtarë nga të gjitha palët dhe ai komision do të vërë nën thundrat e politikës SPAK, GJKKO, ILDKPI, etj, skenar ky që do t’i vishte me imunitet Ramën dhe Berishës që kanë llogari të hapura me drejtësinë. Madje sipas burimeve, pritet që ky plan ogurzi të gjejë zbatim sapo grupi i Berishës të ulet në karriget e Kuvendit dhe t’i rikthehet normalitetit. Kjo do të thotë se kryeministri Rama që deri më dje mohonte se do të reagonte për Berishën e shpallur “non-grata” nga Londra dhe Uashigtoni, tanimë po jep sinjale se është i gatshëm për t’u ulur në tryezën e pazareve me kreun e Rithemelimit. Pra ky ndryshim kurs vjen në një kohë që SPAK është bërë makth për të gjithë. Vetë Rama pak ditë më parë e pranoi se ka dhënë urdhër që institucionet të mos lejojnë agjentët e BKH të sekuestrojnë dokumente. Po ashtu Berisha e ka shpallur armikun numër një SPAK. Me pak fjalë, frika e prangave i ka bërë bashkë dhe duke shfrytëzuar mungesën e ambasadorit amerikan, minjtë kanë filluar të hedhin valle.
Rama pranon negociatat e fshehta me Berishën
Por sa i takon zërave për pazare PS-Rithemelim, ka folur edhe kryeministri Edi Rama, i cili këtë fundjavë nga qyteti i Shkodrës nuk ka mohuar negociatat me grupin e Sali Berishës për të kthyer normalitetin parlamentar. Pas takimit me kryebashkiakët në Shkodër, Rama u pyet nga gazetarët nëse PS po shkon drejt një marrëveshje me grupin e Berishës dhe kryeministri në një farë mënyre e konfirmoi. Ai theksoi se ata janë gati të pranojnë çdo komision hetimor, pasi sipas tij, opozita ka të drejtën e saj, duke tregura që ka ndryshuar qëndrim. “Realisht nuk arrita të kuptoj nëse ata që kuptojnë marrëveshje për ngritjen e komisioneve hetimoret nuk kuptojnë, ose bëjnë sikur nuk kuptojnë. Ne e kemi thënë dhe nuk kemi refuzuar dhe nuk kemi shkelur asnjë të drejtë për ngritjen e komisioneve hetimore. Ne kemi refuzuar të votojmë iniciativa që në emrin e komisionit hetimor shkelin kornizën e mirëpërcaktuar nga Kushtetuesja. Dhe e kemi thënë që kjo nuk është çështje marrëveshjesh apo negociatash, është çështje të drejtash. Një numër deputetësh kanë të drejtë për komision hetimor, por ai duhet të jetë brenda kornizës së përcaktuar nga Kushtetuesja. Çdo iniciativë e tillë ka miratimin tonë. Natyrisht diskutimet bëhen në komision kur shkon iniciativa”, deklaroi Rama. Madje prania e kryeministrit në Shkodër tregoi hapur se ai ka marrëveshje me Sali Berishën, pasi të gjithë kryebashkiakët e Rithemelimit kanë qenë prezent në mbledhjen e thirru nga Rama, dukë dëshmuar se ata kanë shkuar atje me urdhër të “non-gratës”. Ndërkohë sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partisë Demokratike, Edvin Kulluri ka reaguar në rrjetet sociale pas mbledhjes së zhvilluar në Shkodër mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakëve të vendit, përfshirë edhe ata të opozitës. Kulluri ironizoi kryebashkiakët e dalë nga fushata e Rithemelimit të PD për zgjedhjet vendore, i cili tha se “mosbindja civile arriti sot suksesin me te madh” duke qenë “rresht për një te Rama në Shkodër”. “Mosbindja civile arriti sot suksesin më të madh! Rresht për një te Rama në Shkodër! Natyrisht në ’emër të interesit të qytetarëve’ të bashkive Foltoriste! Gazi para, krye bashkiakët mbrapa! Kush po bën pazar me Ramën? Ai që gjen përgjigjen fiton një biletë te rreshti i parë poshtë ballkonit!”, shprehet Kulluri.
