Në fund të sezonit turistik të dështuar, kryeministri Edi Rama po gjen fajtorin tek plazhet private.
Çadrat bosh gjatë gjithë vijës bregdetare, Rama i justifikon me çmimet e larta që mbajnë bizneset e “beach bareve” në bregdet.
Rama tha se lejet e plazhit privat do të jepen vetëm për hotelet.
Çfarë paralajmëroi Rama?
Sot në podcastin e tij, Rama tha se vitin tjetër ne do të ndryshojmë sistemin dhe nuk do të lejojmë shezllonet përvecse se ata kanë hotele.
Nuk mund ti çosh shezllonet deri në breg, që njerëzit kur duan të kalojnë në breg ta kenë të pamundur ose të biejnë me not ose të dalin nga rruga e të mallkojnë veten që erdhen në plazhë. Kështu do të krijojmë një fashë atë që kemi thënë të hapësirës publike në vijën e ujit e ti do të tërhiqesh prapa. U krijua një volum i madh dhe pritshmëria dhe o burra të gjithë me shezllone. Ata shezllonet këtë vit e bënë me sukses kryerjen e misionit të tyre të ardhjes në majë të hundës të të gjithë popullit”, vijoi Rama.
Rama bëri me dije se bashkitë do menaxhojnë hapësira plazhi me çmim tavan. Vec plazhit publik, hapësira plazhi do të marrin edhe bashkitë të cilat do të vendosin shezllone e ngrenë çadra me një çmim tavan të detyruar.
“Do ta fillojmë me bashkitë, që bashkitë të marrin hapësira e të vendosin bashkitë çadra. Aty ku është e arsyeshme e shezlloneve, por me çmim tavan të detyruar. E kemi filluar prej disa vitesh, këtë vit e shtymë më përpara. Lezha është model se është polic ai kryetari I bashkisë së Lezhës. Shakaja është gjysma e së vërtetës”, tha Rama.
