Prokuroria e Fierit ka sekuestruar një njësi tregtare dhe një apartament që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari të paligjshme. Pasuritë i përkasin një shtetasi me inicialet E.Sh., i cili është nën hetim për mashtrim, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash.
Sipas njoftimit të prokurorisë, personi në fjalë dyshohet se ka ushtruar aktivitet përmes një “Call Center”-i në qytetin e Fierit, ku përmes skemave mashtruese u merrte para personave të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme.
Nga hetimet rezulton se shuma të konsiderueshme monetare janë depozituar cash në llogari bankare pa një burim të ligjshëm të justifikuar. Më pas, këto para dyshohet se janë investuar në pasuri të paluajtshme për të fshehur origjinën e tyre.
Në kuadër të procedimit penal të regjistruar ndaj E.Sh., gjykata ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi një njësi tregtare me sipërfaqe 230 metra katrorë dhe një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë në qytetin e Fierit.
Sipas prokurorisë, pasuritë janë në proces verifikimi, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal dhe për të përcaktuar përgjegjësit ligjorë.
