Deputetja e PD, Zheni Gjergji: Belinda Balluku ‘koka’ kryesore e skandalit të mbetjeve toksike, drejtësia të godasë…

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, ka akuzuar ministren e Transporteve, Belinda Ballukun si “kokën” kryesore të skandalit të mbetjeve toksike, duke kërkuar që drejtësia të veprojë ndaj përgjegjësve të vërtetë. Në një intervistë për gazetën deputetja Gjergji ka kërkuar gjithashtu hetime të thella dhe ndëshkim për të gjitha shkeljet dhe skandalet që kanë ndodhur në sektorin e shëndetësisë. Aferat që janë përmendur përfshijnë ato të lidhura me check-up, sterilizimin, laboratorët, dializën dhe tenderat sekretë gjatë periudhës së Covid-19. Zonja Gjergji thekson se këto aferat kanë përfshirë përvetësim të fondeve dhe keqmenaxhim të burimeve që janë destinacion për mbështetje të shëndetësisë publike. Një nga rastet më shqetësuese është ajo ku, sipas saj, janë bërë “shkrumb e hi” 17 milion euro në QSUT (Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës) brenda një nate. Ndërkohë deputetja Gjergji ka theksuar se është e domosdoshme që drejtësia të bëjë një pastrim të thellë dhe të identifikojë e ndëshkojë ata që kanë abuzuar me detyrën dhe kanë kontribuar në përkeqësimin e kushteve të shëndetësisë në vend. Ajo ka kërkuar që institucionet përkatëse të veprojnë me transparencë dhe përgjegjësi për të siguruar që të tilla skandale të mos përsëriten më në të ardhmen. Ky apel i deputetes së PD, Zheni Gjergji gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës  Rigels Seliman, është një thirrje për veprim dhe për transparencë në trajtimin e çështjeve të ndjeshme dhe për të siguruar se fondet publike përdoren siç duhet dhe për qëllimet që janë parashikuar.

-Zonja Gjergji, si e vlerësoni përgjegjësinë e ministres Balluku dhe të qeverisë në lidhje me skandalin e mbetjeve toksike? A ka pasur ndonjëherë transparencë dhe veprime të mjaftueshme nga ana e tyre?

E shoh si përgjegjësi të plotë të ministres Belinda Balluku dhe të qeverisë, por siç është bërë zakon tani, një përgjegjësi e pambajtur prej tyre. Edhe këtë radhë, ata thanë se nuk kanë lidhje me skandalin, dhe fajin si gjithnjë e kanë të tjerët. E ka media, e ka opozita, e ka privati. Të nisesh nga këto qëndrime, del se paskemi një qeveri të vogël, të padukshme. Kur në fakt është e kundërta. Qeveria është e pranishme kudo dhe sundon me forcë. Vetëm kur është fjala për të mbajtur përgjegjësitë që janë të sajat, ajo nuk ekziston. Kuptohet se kjo përjashton transparencën. Siç e patë dhe në rastin e mbetjeve toksike, qeveria ishte e fundit që reagoi, sërish pa bërë asnjë komunikim që i intereson publikut që me të drejtë kërkon të dijë të vërtetën.

-Duke qenë se jeni deputete në Qarkun e Elbasanit që është një nga zonat më të ndotura, cilat janë mangësitë kryesore në politikën dhe menaxhimin e mbetjeve toksike në Shqipëri që keni identifikuar?

Janë çështje të një ekspertize të thellë, dhe padyshim që ne kemi njerëz dhe specialistë të fushës. Por ajo që unë konstatoj është se mungesa e shtetit, mosmbajtja e përgjegjësisë dhe korrupsioni janë shkaqet e këtyre fenomeneve. Ndotja e Elbasanit është një ndëshkim që i ndodh këtij qyteti, çdo ditë. Ne kemi kërkuar vazhdimisht zbatimin e standardeve mjedisore prej Kurum, përdorimin e filtrave dhe pajisjeve që kërkon ai proces. Dhe vazhdimisht kemi kërkuar monitorim. Retë e pluhurit dhe ajri që thithim çdo ditë dëshmojnë se pak është bërë në këtë drejtim. Dhe për ndotjen e mëtejshme ka kontribuar vetë bashkia, duke krijuar krizë me incenerator-korrupsionin e me moskryerjen e detyrave të saj. Po si konkluzion, me pak fjalë. Një qeveri që është akuzuar se ka ngritur narko-shtet mund të bëjë çdo gjëmë tjetër, çdo trafik të rrezikshëm.

-Si e shihni rolin e institucioneve të tjera, si inspektorati mjedisor, në adresimin e këtij skandali? A janë ato të pajisura me mjetet dhe kapacitetet e nevojshme për të vepruar?

Nuk ka dyshim se inspektoriatet tona kanë nevojë për trajnime, ekspertizë, e kapacitete. Po ashtu dhe për pajisje. Po, mbi të gjitha duhet vullnet politik. Çfarë mund të bëjë një inspektor në Elbasan, nëse kryetari i Bashkisë apo qeveria në Tiranë, nuk zbatojnë ligjin apo janë të lidhur me interesa, klane, grupe, banda, apo me krimin e organizuar? Çfarë mund të bëjë vallë një inspektor apo Inspektoriat në këto kushte?

-A mendoni se ka pasur ndonjëherë përpjekje për të fshehur ose minimizuar rëndësinë e këtij problemi nga ana e autoriteteve? Si mund të luftohet më mirë ky fenomen?

Ky fenomen luftohet me pranimin e tij së pari dhe me transparencë të plotë. Luftohet, duke mbajtur përgjegjësi ata që kanë përgjegjësi, me akte konkrete, me dorëheqje e dalje para drejtësisë. Mbi të gjitha, ky fenomen, luftohet me një hetim të plotë e shterues, të të gjithë zinxhirit. Unë e shoh së pari si përgjegjësi të qeverisë që e ka lejuar, e nuk e ka ndaluar. Ndaj, duhej të ishte SPAK që të merrej me këtë rast. Nëse do të ndodhë, që pas këtij skandali, që e morëm vesh sërish nga të tjerët, nga media Bloomberg e Rrjeti i Bazelit, pra nëse ndodh që edhe pas kësaj s’do të ketë disa përgjegjës para ligjit e para drejtësisë, e kam fjalën për shefat e mëdhenj, atëherë ky fenomen nuk është goditur e do të vijojë sërish.

-Si e vlerësoni situatën e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë? Cilat janë masat konkrete që duhet të merren për të adresuar dhe eliminuar korrupsionin në këtë sektor?

Mjafton një vështrim mbi disa fakte për të dalë në konkluzion. Një pjesë e madhe e buxhetit e taksave të shqiptarëve shkon për koncesionet në shëndetësi. Të gjitha këto koncesione janë në SPAK. Ky është korrupsion. Shihni urgjencën e QSUT. 17 mln euro investim. U bë shkrumb e hi brenda një nate. Dhe sot ky shërbim jetik, pas gati 6 muajsh, nuk u jepet i plotë qytetarëve. Ky është korrupsion. Korrupsioni në shëndetësi, në të gjithë sektorët e tij sjell si pasojë mungesën e ilaçeve në spitale, mungesën e pajisjeve mjekësore ose mosvënien në punë të tyre, mungesën e fondeve për rimbursimin e medikamenteve kaq të nevojshme për të sëmurët kronikë e për të moshuarit që jetojnë me pensione aq modeste. Ky është problemi më i madh i shëndetësisë sot. Patjetër, që çdo mjek që bën pis bluzën e bardhë dhe u merr para pacientëve e njerëzve në hall, është dhe ky një shqetësim, një dukuri që vijon.

-Sa i rëndësishëm është transparenca në menaxhimin e fondeve publike për sektorin e shëndetësisë dhe si mund të përmirësohet kjo transparencë për të parandaluar abuzimet dhe korrupsionin?

Transparenca në këtë sektor është jetike. Po kush ta bëjë? Qeveria që premtoi shëndetësi falas dhe e bëri këtë sektor më të shtrenjtin për qytetarët shqiptarë, të cilët paguajnë nga xhepi më shumë se çdo qytetar tjetër në Europë. Kjo transparencë mund të ndodhë vetëm nëse Drejtësia do të shkojë deri në krye, tek ata që janë përgjegjësit e vërtetë të aferave me check-up, sterilizimin, laboratorët, dializën, tenderat sekretë në kohën e Covid-19. Po nuk u dha një shembull nga drejtësia, qeveria do vazhdojë njësoj abuzimin e mosbërjen e transparencës. Ne kemi shfrytëzuar çdo instrument parlamentar, çdo hapësirë për të bërë transparencë. Qeveria dhe ministrat, vetëm i fryjnë propagandës e nxjerrin pengesa të vazhdueshme për marrjen e informacionit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related