Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur një pazar për të amnistuar pronarin e Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeun, një figurë kyçe në skandalet e shëndetësisë që kanë tronditur vendin. Konkretisht mbledhja e parë e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, pas zgjatjes së afateve me tre muaj, u zhvillua në “paqe” mes opozitës dhe mazhorancës. Ndonëse punimet e këtij komisioni në sesionin e kaluar parlamentar janë karakterizuar nga tensione e debate, pa shumë diskutime dje palët ranë dakord për shkresat e informacioneve dhe listën e re të dëshmitarëve. Hetimi parlamentar do të vijojë për dy koncesionet sterilizimin dhe check up, ndërsa në listën e dëshmitarëve është vendosur ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish/zvministri Klodian Rrjepaj, biznesmeni i sterilizimit Ilir Rrapaj, si edhe 6 persona të tjerë në hetim nga SPAK. Për marrjen e tyre në pyetje do duhet që Komisioni t’i drejtohet SPAK për leje, ndërsa Beqaj ndodhet në qeli për abuzimet me fondet e SASPAC. Ndërkohë, në burg ndodhet edhe Rrapaj e zv/ministri Rrjepaj, të dy për koncesionin e sterilizimit. Duke qenë se procedura për të kërkuar leje do të marrë kohë, data për dëshminë e Beqajt është caktuar më 9 tetor, ndërsa për Rrjepajn më 20 shtator. Komisioni hetimor planifikon të pyesë edhe 6 anëtarët e komisionit që shpalli fituesin e koncesionit, të cilët janë në masë detyrim paraqitjeje, por edhe pse jo në qeli, nuk pyeten dot pa lejen e Prokurorisë së Posaçme. Gjithsesi dëshmia e tyre do të varet nga autorizimi i institucioneve të drejtësisë.
Nëse prokuroria i lejon të vijnë në Kuvend, kjo do të përbënte herën e parë që një i paraburgosur merret në pyetje nga deputetët, ndërsa për herë të parë një person në hetim u mor në pyetje nga Komisioni Hetimor i TIMS. Bëhet fjalë për ish-drejtorin e IT në Policinë e Shtetit, i cili ishte në masë arrest në shtëpi, kur iu mor dëshmia nga anëtarët e komisionit. Por ajo që bie në sy është fakti se, nga objekti i hetimit parlamentar janë shmangur dy koncesione, ai për shërbimin e Hemodializës dhe për Laboratorët, të cilët në mënyrë thuajse të drejtpërdrejtë ose indirekt, lidhen me një emër-Klodian Allajbeu. Kjo shmangie ka ngritur shqetësime mbi transparencën dhe plotësinë e hetimeve që janë në zhvillim. Ky zhvillim ka rritur tensionet dhe ka nxitur thirrje për më shumë transparencë dhe përgjegjësi në trajtimin e aferave në sektorin e shëndetësisë. Aktivistët dhe publiku presin që Komisioni Hetimor të zbardhë të gjitha detajet dhe të sigurojë që drejtësia të vihet në vend, pavarësisht nga marrëveshjet politike që mund të ndikojnë në hetime
Detajet
Pas debateve që kanë pasur, palët dakordësuan edhe njëherë listën e dëshmitarëve, ku disa prej emrave kishin mbetur pa u pyetur nga sesioni i kaluar. Kështu, nga e hëna do të niset me dëshmitë, ku dy dëshmitarët e parë në listë janë ish-drejtorët e QSUT, Enkel Joti e Albana Fiço, si edhe drejtoresha aktuale Alma Cani. Kryetarja e Komisionit Hetimor, Albana Vokshi tha se janë dakordësuar që në listë do jenë edhe ish-drejtorët e spitaleve rajonale Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, drejtori i Koço Gliozhenit, Geni Hyka dhe ish-drejtori i Traumës Arben Zeneli. Në listë janë edhe anëtarët e grupit të punës së check up dhe 4 mjekë. “Lista e dëshmitarëve. Këtë e kemi diskutuar dje gjatë në mbledhjen e kryesisë, jemi dakordësuar që meqë një pjesë e materialeve nga SPAK sa i përket check up, që arrijnë deri në 2019, ka ardhur vetëm disa ditë para, kemi vendosur që ta nisim me ata persona në listën e dëshmitarëve që nuk preken nga mungesa e këtij informacioni. Propozimi është që të thërriten ish-drejtorët e QSUT, drejtoresha aktuale, ish-drejtoresha e spitalit Durrës, traumës, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës, drejtori i Koco Gliozhenit, anëtarët e grupit të punës së check up, kanë qenë disa mjekë dhe mjekët që i kishim në listë para se të mbyllej sesioni i kaluar por nuk e bënë dot dëshminë”, deklaroi Vokshi. Edhe anëtarët e mazhorancës, dhe ata të opozitës, shprehën vullnetin për të dalë më një raport të përbashkët në fund të punës së Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi, që pas zgjatjes së afatit, do të mbyllet në muajin tetor. Koncesionet e Sterilizimit dhe Check-up-it janë prej disa kohësh çështje hetimore nga SPAK-u. Për çështjen e parë hetimet janë mbyllur, ndërsa janë nën arrest me burg ish-zv.ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe koncensionari Ilir Rrapaj, si dhe dyshohet për shkelje dhe shpërdorim detyre ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ndërsa vazhdojnë hetimet për koncensionin e Check-up-it.
Diskutimet
Ndërkohë anëtarët e komisionit kanë diskutuar lidhur me propozimet dhe si do të vijojë puna.
Petro Koçi: Unë mendoj që të piketojmë dëshmitarët më të rëndësishëm, mos të merremi me shtimin e numrit të dëshmitarëve, por të merremi me cilësinë.
Albana Vokshi: Në varësi të deklaratave të dëshmitarëve mund të rezultojë që edhe lista të jetë më e shkurtër, sepse edhe Komisioni mund të vendosë më pas që nuk do të ketë nevojë për dëshmitarë të tjerë, pasi mund të arrijnë në përsëritje. Jemi munduar të kemi një listë koncize, jo të mbingarkuar. Secili dëshmitar do marrë kohën e vetë, pasi çdo anëtarë mund të ketë pyetjet e veta për të bërë.
Plarent Ndreca: Edhe ne e diskutuam dje në mbledhje kryesie, por është e vështirë nga ana tjetër të thërrasësh njërin dhe jo tjetrin, pasi duket sikur i sheh me sy të ndryshëm. Por, mund të koordinohemi me pyetjet. Mos të bëjmë pyetje që bien në përsëritje. Do të tentojmë të kemi një koordinim, kërkojmë dhe koordinimin e palës tjetër.
Ina Zhupa: Komisioni ka një zgjatej të afatit të punimeve, pasi kishim mungesë informacioni. Por, ky komision po gjykon procedurat, kontratën dëmin, si mund të ishte zgjedhje më e mirë pa vjedhur xhepat e qytetarëve. Mjekët që nuk na japin informacionin e duhur ndoshta mund t’i shmangim. Mos të harxhojmë minuta të tëra duke i pyetur ku e mbaruar diplomën, çfarë ke bërë më parë… shpresojmë të bëjmë një punë në interes të publikut, se po gjykojmë një aferë që shkon në 420 mln euro që mund të ishin vënë shumë mirë në shërbim të qytetarëve. Këto para mubnd të ishin vënë në funksion të ilaçeve, pacientëve. Uroj që mazhoranca dhe opozita në fund të dalin me një raport të përbashkët që të pasqyrojë realitetin.
Edona Bilali: bashkohem me një pjesë të fjalës së Zhupës që të dalim me një raport. Ndërkohë, duhet sqaruar procedurat, që në të ardhmen kur të jepet ky shërbim, gjërat të jenë aq të qarta sa çdo kush të ndihet i qetë në realizimin e detyrës së tij, nga specialisti te ministri.
Xhelal Mziu: Sot ne duhet ta kishim të detajuar se kush dhe kur do të vijë. Duhet të avancojmë që të mos shkojmë prapë në afatin limit dhe të mos kemi mbaruar punë.
Albana Vokshi: Lista që sapo ju lexova është për javën që vjen, nga e hëna të premte. Janë caktuar dëshmitarët për të hënën, por jo orari i saktë, pasi p.sh. edhe Komisioni i Ligjeve ka punë pothuajse çdo ditë, pra varet nga koha që ju keni në dispozicion për këtë komision
