Denoncoi abuzimet në energji, Eduard Elezi: Familja ime u kërcënua, i thanë gruas të më mbyllë gojën

Data

Eksperti i naftës, Eduard Elezi, ka bërë publik një rast të rëndë kërcënimi ndaj familjes së tij, të cilin e lidh me denoncimet që ka bërë për abuzime në sektorin e energjisë në vend.

Gjatë një interviste televizive, Elezi deklaroi se pas daljeve të tij në media, ku ka akuzuar për “vjedhje dhe abuzime me qindra miliona euro” në këtë sektor, familja e tij është vënë nën presion.

Sipas tij, bashkëshortja është kërcënuar drejtpërdrejt nga persona të paidentifikuar, të cilët i kanë kërkuar që ai të ndalojë deklaratat publike. “I është thënë nuses sime të mbyllë gojën burrit tënd që të mos flasë në media për këto çështje”, u shpreh Elezi.

Ai shtoi se incidenti ka ndodhur në zonën e digës së Liqenit Artificial në Tiranë, ku bashkëshortes së tij i është dalë përpara dhe i është përsëritur i njëjti mesazh kërcënues.

Elezi bëri me dije se rasti është denoncuar menjëherë në polici dhe i është referuar edhe prokurorisë. Megjithatë, ai ngriti shqetësime mbi mënyrën e trajtimit të çështjes, duke pretenduar se hetimet janë mbyllur brenda një periudhe të shkurtër, pa u marrë në pyetje persona dhe pa u verifikuar pamjet filmike nga zona.

Sipas tij, kjo situatë lidhet edhe me mungesën e hetimeve për çështjet që ai ka ngritur në sektorin e energjisë, duke theksuar se rasti kërkon një trajtim më serioz nga institucionet përgjegjëse.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related