Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë reaguar lidhur me referendumin e zhvilluar në Itali për ndryshimet kushtetuese në sistemin e drejtësisë.
Në një deklaratë të përbashkët, dy shoqatat shqiptare shprehin vlerësimin për rolin e Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve të Republikës së Italisë, duke theksuar kontributin e saj në nxitjen e një debati të hapur për mbrojtjen e parimeve dhe vlerave kushtetuese.
Sipas tyre, rezultati i referendumit dëshmoi një mbështetje të qartë për rëndësinë e një sistemi drejtësie të pavarur, i cili garanton funksionimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e lirive themelore të qytetarëve.
Shoqatat theksojnë se magjistratura italiane ka treguar pjekuri dhe qëndrueshmëri në përballjen me sfidat, duke e merituar pavarësinë që gëzon sot, ndërsa nënvizojnë se një sistem drejtësie i ndërgjegjshëm për misionin e tij duhet të jetë aktiv në jetën demokratike.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se forcimi i lidhjes mes sistemit të drejtësisë dhe qytetarëve është thelbësor për rritjen e besimit publik dhe garantimin e llogaridhënies.
Duke marrë shembull përvojën italiane, shoqatat shqiptare shprehen të angazhuara për të forcuar më tej pavarësinë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një element kyç për funksionimin e demokracisë dhe ndarjen e pushteteve.
