Gazetarja Ola Xama ka denoncuar se për të marrë një shërbim nga institucionet, e kanë sorollatur për ditë të tëra, ka paguar edhe lekë, por ende nuk e ka marrë shërbimin për shkak se mungon firma, pasi drejtori është në fushatë për të mbledhur vota për Partinë Socialiste
Më konkretisht, përmes një postimi në rrjetet sociale, Xama bën me dije se që më 18 Mars ka aplikuar për të bërë lidhje energjie me shtesë fuqie pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektirke, por askush nuk i kthente përgjigje që të japë dakordësi dhe të vazhdohen punimet.
Ajo thotë se ka bërë qindra telefona, është lutur, ka kërkuar ndere, ka blerë vetë materiale dhe sërish nuk e ka marrë shërbimin, pasi i kanë thënë se prit deri sa të mbarojnë zgjedhjet, që drejtori të kthehet në punë.
Ola Xama shkruan se qytetarët i paguajnë rrogën drejtorit të OSHEE-së, por ai punon për Partinë Socialiste dhe sipas saj, kjo është keqqeverisja dhe e kupton qartë se jemi vite dritë larg nga Bashkimi Europian.
