“Demokracia nuk është dhuratë, por detyrë” – Fiona Nishani në 35-vjetorin e PD-së: Shqipëria ka nevojë për të rinj që nuk dorëzohen

Data

Në ceremoninë për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, një mesazh i fortë erdhi edhe nga Fiona Nishani, vajza e ish-Presidentit të ndjerë Bujar Nishani, e cila vuri theksin te roli i të rinjve dhe përgjegjësia për mbrojtjen e demokracisë.

Duke e cilësuar 11 dhjetorin 1990 si ditën që “ndez dritën e shpresës për Shqipërinë e lirë pas dekadash errësire komuniste”, Nishani theksoi se PD ka qenë forca politike që i hapi vendit rrugën e demokracisë, integrimit euroatlantik dhe lirive themelore.

Ajo ndali veçanërisht te dy arritje që, sipas saj, kanë ndikuar drejtpërdrejt jetën e brezit të ri: liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.

“Ne jemi brezi që ka fluturuar drejt Europës pa viza, një ëndërr që u bë realitet falë qeverisjes së PD-së. Liberalizimi i vizave hapi dyert e universiteteve, njohjeve dhe kulturave të reja. Ishte ndoshta dhurata më e bukur që politika shqiptare u ka bërë të rinjve”, u shpreh ajo.

Sipas Nishanit, edhe anëtarësimi në NATO ishte një moment historik që garantoi sigurinë e brezave të ardhshëm. “Nuk ishte thjesht një firmë në një dokument, por garancia se e ardhmja jonë do të ishte më e sigurt se e kaluara e hidhur”, theksoi ajo.

Në fjalën e saj, Fiona Nishani nënvizoi se sot Partia Demokratike ka nevojë më shumë se kurrë për angazhimin e të rinjve, për energjinë, idetë dhe forcën morale të tyre.

“PD ka nevojë për të rinj që nuk dorëzohen, që nuk e pranojnë padrejtësinë si normalitet dhe që nuk e shohin largimin nga vendi si zgjidhje”, tha ajo.

Duke mbyllur fjalën, Nishani dha një mesazh simbolik për këtë përvjetor:

“Sot, 11 dhjetori, na kujton se demokracia nuk është dhuratë, por detyrë. Shpresa nuk duhet humbur kurrë, sepse ajo lindi pikërisht në momentet më të vështira”.

Fjala e saj u prit me duartrokitje nga të pranishmit, duke u konsideruar si një thirrje për ringritjen dhe angazhimin e brezit të ri në jetën politike dhe demokratike të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related