“Demokracia në Veprim” kundërshton vendimin e presidentes Vjosa Osmani për KQZ-në, apel kundër dërgimit të çështjes në Kushtetuese

Data

Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) ka kundërshtuar vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas DnV-së, ky hap rrezikon të vonojë kompletimin e KQZ-së në një moment të rëndësishëm, kur funksionimi i plotë i këtij institucioni është thelbësor për garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore.

Në reagimin e saj, DnV thekson se mënyra e përbërjes së KQZ-së është e përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe në ligj, përmes modelit të përfaqësimit, i cili bazohet në balancën mes grupeve parlamentare dhe jo drejtpërdrejt në rezultatet zgjedhore.

Organizata rikujton se edhe në vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë pas zgjedhjeve të vitit 2021, është zbatuar ky model, duke kufizuar përfaqësimin e subjektit më të madh në dy anëtarë, pavarësisht rezultatit elektoral.

Sipas DnV-së, referimi i çështjes në Kushtetuese nuk sjell qartësi të re, por përkundrazi krijon vonesa në një proces që kërkon vendimmarrje të menjëhershme. Mosplotësimi i përbërjes së KQZ-së, sipas tyre, ndikon drejtpërdrejt në funksionimin dhe vendimmarrjen e institucionit.

Nga ana tjetër, presidentja Vjosa Osmani ka argumentuar se partitë parlamentare kanë propozuar më shumë kandidatë sesa parashikon Kushtetuta dhe se për këtë arsye ka kërkuar një interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Ajo theksoi se çështja ka qenë e paqartë ndër vite dhe pret që vendimi i gjykatës të sjellë një sqarim përfundimtar.

DnV i bën thirrje institucioneve që procesi i emërimit të anëtarëve të KQZ-së të përfundojë sa më shpejt, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, për të ruajtur funksionalitetin dhe besueshmërinë e këtij institucioni kyç për zgjedhjet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related