Thellohet debati mes ballistëve dhe komunistëve, Adriatik Alimadhi i përgjigjet Muharrem Xhafës dhe demaskon LANÇ…

Data

Debati mes ballistëve dhe komunistëve, që ka shpërthyer me intensitet ditët e fundit, ka nxjerrë në pah ndarjet e thella historike dhe ideologjike që kanë shoqëruar Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Adriatik Alimadhi, një figurë e njohur për qëndrimet e tij të forta dhe të drejta, ka reaguar fuqishëm ndaj akuzave të ngritura nga ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës, Muharrem Xhafa, ndërsa ka demaskuar versionin zyrtar të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), duke nxjerrë në dritë fakte dhe prova që dëshmojnë për krimet e kryera nga partizanët.

Alimadhi nuk heziton të sfidojë mitin e 28 mijë dëshmorëve, duke argumentuar se ky numër është fryrë dhe se shumë prej viktimave të luftës kanë qenë shqiptarë të pafajshëm, të vrarë në emër të ideologjisë komuniste (luftë vëllavrasëse). Gjatë një reagimi të gjatë për gazetën “SOT”, kreu i Ballit Kombëtar (PBK), Adriatik Alimadhi zbulon si u fshehën masakrat dhe shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës partizane nga regjimi komunist pas luftës, duke e cilësuar atë si një periudhë të errët për Shqipërinë, ku u vu në diskutim dinjiteti kombëtar dhe lufta për liri. Me një analizë të hollësishme dhe të bazuar në dokumente të siguruara nga ai, zoti Alimadhi shpalos një perspektivë të re mbi luftën, duke i bërë thirrje shqiptarëve të shikojnë përtej propagandës dhe të kërkojnë drejtësi për krimet e të kaluarës.

Ja reagimi i Z. Alimadhi për gazetën “SOT”

“Muharrem Xhafa. Gjallë është ky? Përgjigje komunistit Muharrem Xhafa mbi shpifjet ndaj Ballit Kombëtar, në gazetën “Sot”. Lexoni: Krimet e kriminelëve komunistë dhe kriminelëve partizanë ndaj patriotëve shqiptarë. Nuk prisja asgjë nga ky tipi komunist, lëreni të qetë të shkojë në botën e përtejshme me idetë komuniste, por krimet nuk do t’ia falim askujt. Nuk mërzitem aspak, madje edhe pse më bënë tradhtar dhe antikombëtar, këto reagime të tipit bolshevik i kam pritur. Prej kësaj mendje të mykur dhe diktatoriale e kam vuajtur familjarisht sistemin kriminal komunist, me marrje jete, me burgje, persekutime, internime e të tjera, kështu që e prisja dhe nuk ndihem i mërzitur aspak, pavarësisht vulgaritetit të tij hedhur padrejtësisht ndaj ballistëve dhe Ballit Kombëtar.

Mendoj se, në këto 34 vjet të këtyre proceseve të brishta demokratike, këtyre mendimeve nuk u ka ndodhur asgjë. Ata vazhdojnë të paguhen akoma si veteranë nga taksat e shqiptarëve, duke mos qenë të tillë. Kjo është padrejtësi historike. Shqipërinë ata e kanë drejtuar dhe po e drejtojnë, gjithë administratën shtetërore, gjyqësorin, prokurorin, të gjitha institucionet, fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre janë ende, madje edhe reformën në drejtësi ata po e bëjnë. Ç’të bëjmë, ky është rrugëtimi i Shqipërisë. Gjatë gjithë kësaj kohe, personalisht kam kuptuar që mendimet e tyre janë nga më të ultat dhe shoqëria shqiptare po tallet me ta.

Gjithsesi, mendoj se duhet kohë, duhet të ishin ndëshkuar krimet e komunizmit dhe të gjithë ata që kryen krime dhe lyen duar me gjak shqiptari, duhet të ishin përgjigjur para drejtësisë. Duhen ligje demokratike, duhet kulturë demokratike, duhet frymë vëllazërimi, duhet ndërgjegjësim, duhet pjekuri dhe vullnet për të kuptuar fajin dhe gabimet, por kjo është e vështirë dhe të drejtën askush nuk e pranon lehtë, por keqardhje për këtë mendësi idiotësh dhe shumë të cekët, prej kësaj mendjeje ka vuajtur Shqipëria. Për shkak të kësaj sjelljeje, ne si shqiptarë do të vazhdojmë të jemi të ndarë dhe kjo nuk i shërben aspak afrimit midis njëri-tjetrit që ne shqiptarët të jemi të bashkuar dhe të shohim përpara si shoqëri e lirë dhe me mendime demokratike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related