Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar lidhur me ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në ligjin “Për portet turistike”, duke theksuar nevojën për përputhje me standardet evropiane.
Në deklaratën zyrtare, BE bën të ditur se këto ndryshime do të vlerësohen nga afër, sidomos në aspektin e prokurimit publik dhe respektimit të legjislacionit evropian, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe në sektorin e porteve.
Delegacioni thekson gjithashtu se teksti i ri përmban elementë të ngjashëm me ligjin për Investitorët Strategjikë, një akt që Shqipëri pritet ta shfuqizojë në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Sipas BE-së, vendi duhet të shmangë çdo hap që bie ndesh me angazhimet e marra në kuadër të reformave dhe kushteve për avancimin në negociatat e anëtarësimit.
Reagimi vjen në një moment kur procesi i integrimit kërkon përputhje të plotë të legjislacionit vendas me atë të Bashkimi Evropian, veçanërisht në fusha që lidhen me konkurrencën dhe transparencën ekonomike.
