Dekretohen rektorët e rinj të universiteteve publike, Presidenti Begaj: Detyra juaj të siguroni që universitetet të…

Data

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi rektorët e rinj, që u zgjodhën disa javë më parë në zgjedhjet që u zhvilluan në universitetet e vendit.

Në fjalën e tij, kreu i Shtetit, foli për sfidat me të cilat rektorët duhet të përballen.
“Roli dhe misioni juaj bazik është t’iu ofroni studentëve shijen e mësimit, kuriozitetin dhe zbulimin, dhe unë mendoj se disa nga sfidat që do të kërkojnë përgjigje në detyrën tuaj të re sot dhe në të ardhmen janë

Cili do të jetë kontributi real i teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit në mësimdhënie?
Si do t’i përshtaten dhe çfarë përdorimi duan t’i bëjnë në të ardhmen universitetet tona teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale?
Mbi të gjitha, cilat programe studimi do të jenë prioritet për studentët tanë, ku përshtatshmëria ndaj një bote që ndryshon vazhdimisht duhet të jetë thelbësore?
Personalisht, e kuptoj pozitën ku ndodheni. Të jesh sot rektor universiteti është përgjegjësi e madhe. Interesi publik për përmirësimin e cilësisë së arsimit duhet parë si nxitje për veprim.
– Përballë jush qëndrojnë pritshmëritë e studentëve, prindërve dhe mbarë shoqërisë shqiptare për universitete dhe institucione të larta arsimore që përgjigjen ndaj kërkesave të kohës;
– Përballë jush qëndron nevoja imediate e shoqërisë sonë për përgatitjen e profesionistëve dhe intelektualëve që do të plotësojnë nevojat që ka shoqëria jonë për zhvillim sot dhe nesër;
– Përballë jush qëndron studenti që dëshiron edhe shkollimin, edhe garancinë për punësimin;
– Përballë jush qëndron konkurrenca e fortë që vjen nga një treg global i arsimit të lartë”.
Megjithatë të jesh sot rektor është edhe një mundësi e jashtëzakonshme të bëhesh faktor pozitiv ndryshimi, shtoi Presidenti.
“Të kontribuosh në një sektor jetik, sepse arsimi i lartë në veçanti lidhet ngushtë me përparimin tonë si komb, që ne si shqiptarë të jemi të nxënë pranë dijes. Sot ju keni mundësi të lini gjurmë në historinë e arsimit shqiptar. Suksesi juaj do të matet me vështirësinë e sfidave me të cilat do të përballeni.

Unë ju inkurajoj që në përmbushjen e detyrës suaj të vendosni jo vetëm mendjen, por edhe shpirtin. Shpirtin e shqiptarit që, ndonëse me mund, i tejkalon sfidat, që e do profesionin, e do atdheun, e do të mirën dhe të bukurën. Niveli i arsimit të lartë pasqyron jo vetëm shkallën e zhvillimit të shoqërisë, por edhe kushtëzon, në një farë mënyrë, çdo veprimtari tjetër shoqërore.

Në këtë kontekst, ju, të nderuar rektorë, jeni thelbësorë. Ju keni përgjegjësinë dhe privilegjin të krijoni kushtet ku rinia shqiptare mund të shfrytëzojë plotësisht potencialin e vet human dhe profesional.
Është detyra juaj të siguroni që universitetet tona të jenë vende ku ndriçon dija, ku studentët të frymëzohen dhe motivohen, ku nxitet liria akademike, ku rritet cilësia e mësimdhënies, ku kultivohet, përmirësohet dhe promovohet kërkimi shkencor, ku krijohet një mjedis që nxit mendimin kritik, krijimtarinë dhe inovacionin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related