Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në një studio televizive, tha se shqiptarët që kanë shkuar në SHBA me viza turistike, duke thyer afatin për qëndrim 6-mujor, rrezikojnë të preken nga urdhri ekzekutiv i Trump-it për emigrantët.
“Gjatë dy tre viteve të fundit ambasada e SHBA-ve në Tiranë e ka liberalizuar dhënien e vizave, dhe afatin, ku jepen vizat me afat 10-vjeçar. Por në Amerikë ka ndodhur shpesh kohët e fundit, oficeri i kufirit i jep një vulë, ku duhet të rikthehesh pas 6 muajsh edhe pse e ke vizën 10-vjeçare. Mund ta përdorësh vizën për shumë kalime, por afati është vula në kufi. Ka shumë shqiptarë që kanë qëndruar në SHBA dhe janë të ekspozuar përballë këtij vendimi të Trump dhe mund të rrezikojnë të kthehen të gjithë mbrapsht. Ka të tjerë nga vendet e treta, nga Meksika dhe vendet e Karaibet. Komuniteti shqiptar në SHBA është rritur shumë. Brezi i fundit që ka shkuar me këto vizat, është i ekspozuar shumë”.
Sipas Hoxhës organizatat kriminale shqiptare kanë evoluar shumë dhe janë prezentë në Amerikën Latine, por ende s’kanë një kartel të mirëfilltë. “Ka organizata shqiptare që operojnë brenda territorit të SHBA, që janë partnere të këtyre karteleve, ose operatorë”, tha ai.
