Debati për pagat, Rama mbyll derën gjyqtarëve

Data

Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar sërish kërkesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve për rritje pagash, duke deklaruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Në podcastin e tij “Flasim”, Rama tha se sistemi i drejtësisë nuk mund të shndërrohet në një kastë të privilegjuar mbi gjithë shtetin.

Sipas kryeministrit, rritja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët u bë gjatë reformës në drejtësi për të garantuar pavarësinë dhe cilësinë e sistemit, por kjo nuk do të thotë se çdo rritje e mëtejshme në administratë duhet të pasohet automatikisht me rritje të pagave të tyre.

“Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet një kastë gjyqtarësh. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik”, u shpreh Rama, duke shtuar se kërkesat për paga më të larta janë të padrejta dhe të shkëputura nga realiteti ekonomik i vendit.

Ai theksoi se piramida e pagave në Shqipëri është përmbysur me vetëdije gjatë reformës, duke vendosur gjyqtarët dhe prokurorët ndër më të paguarit, por kjo nuk do të thotë se ata duhet të kenë paga më të larta se çdo kategori tjetër shtetërore në mënyrë të pakufizuar.

Rama u bëri thirrje gjyqtarëve që të mbyllin debatin për rritjen e pagave, duke argumentuar se kjo çështje dëmton besimin e publikut te drejtësia dhe krijon pakënaqësi të gjerë shoqërore.

“Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë rritje pagash. Ky debat duhet të marrë fund”, përfundoi kryeministri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related