Në përfundim të seancës plenare, u regjistruan tensione pranë godinës së Kuvendit, teksa automjetet që transportonin deputetët po largoheshin nga institucioni.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, disa protestues hodhën vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve. Policia e Shtetit ndërhyri për të larguar protestuesit nga zona dhe për të garantuar daljen e automjeteve.
Raportohet gjithashtu se disa persona u shoqëruan nga policia pas incidenteve. Sipas informacioneve paraprake, dy protestues u shoqëruan pranë zonës së Pedonales, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetin e tyre apo arsyet zyrtare të shoqërimit.
Protesta kishte nisur në orët e mëngjesit dhe u zhvillua paralelisht me seancën plenare të Kuvendit. Gjatë ditës u raportuan disa incidente dhe momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, seanca plenare u mbyll pas debateve dhe bllokimit të foltores nga deputetët e opozitës. Për shkak të situatës në sallë, mazhoranca vijoi me shqyrtimin dhe miratimin e pikave të rendit të ditës sipas procedurave parlamentare të ndjekura gjatë seancës, duke përfshirë rezoluta për institucionet e pavarura, projektligje, amendamente dhe emërime në komisione.
Deri në publikimin e këtij materiali, Policia e Shtetit nuk ka publikuar një bilanc zyrtar për incidentet dhe shoqërimet e kryera pas përfundimit të protestës.
