Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka konfirmuar se është në dijeni të raportimeve për shpërthime të forta dhe fluturime ajrore mbi kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, në orët e para të së shtunës.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Presidenti Trump ka dhënë urdhër për sulme ndaj disa objekteve brenda territorit venezuelian, përfshirë edhe baza dhe instalime ushtarake.
Raportime të shumta bëjnë me dije se shpërthimet janë dëgjuar pothuajse njëkohësisht në disa zona të Karakasit. Dëshmitarë okularë kanë pohuar se janë goditur objekte ushtarake strategjike, mes tyre aeroporti ushtarak La Carlota në qendër të qytetit dhe baza kryesore ushtarake Fuerte Tiuna. Në rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje që tregojnë shpërthime dhe re tymi mbi këto zona.
Si pasojë e situatës, disa lagje përreth raportohet se kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa ka edhe njoftime të pakonfirmuara për avionë që kanë fluturuar në lartësi të ulët mbi qytet.
Ky zhvillim vjen pas javësh tensioni mes Uashingtonit dhe Karakasit. Administrata amerikane ka akuzuar vazhdimisht presidentin venezuelian Nicolás Maduro për përfshirje në trafikun e drogës dhe kriminalitetin ndërkombëtar, akuza që qeveria e Venezuelës i ka mohuar.
Nga ana tjetër, autoritetet venezueliane kanë reaguar duke deklaruar se veprimet e fundit të Shteteve të Bashkuara, përfshirë konfiskimin e cisternave të naftës nën sanksione, janë pjesë e një strategjie për të ushtruar presion politik, për të detyruar largimin e Presidentit Maduro nga pushteti dhe për të marrë kontrollin mbi rezervat strategjike të naftës së vendit.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa priten reagime të mëtejshme nga komuniteti ndërkombëtar.
