Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave u shoqërua sot me tensione, tone të larta dhe përplasje mes deputetëve. Shkak u bë fjala e deputetit dhe kryetarit të partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili akuzoi mazhorancën se po “vjedh fondet e dedikuara për fermerët” dhe se situata në bujqësi ka degraduar në pikën më të ulët.
Shehaj: Paratë e fermerëve vidhen — 50 milionë eurot e Llogarasë mund të shkonin për bujqësinë
Gjatë diskutimeve mbi TVSH-në në dogana dhe projektligjet e paketës fiskale, Shehaj u ndal te keqmenaxhimi i fondeve në sektorin bujqësor:
“Nëse nuk do ishin harxhuar 190 milionë euro te tuneli i Llogarasë, janë 50 mln euro që mund të përdoreshin për fermerët. Paratë që u takojnë atyre vidhen. Këto janë gjëra të rëndësishme, mos humbim kohë kot tre orë me debat politik.”
Ai shtoi se fermerët shqiptarë nuk mund të konkurrojnë me produktet e importit, sepse shtetet e tjera subvencionojnë prodhimin, ndërsa “këtu fondet zhduken dhe nuk shkojnë te ata që kanë nevojë”.
Ndërprerje e fjalës dhe akuza për mungesë respekti ndaj procedurës
Deklaratat e Shehajt sollën reagimin e kryetares së Komisionit, Milva Ikonomi, e cila i kujtoi deputetit se ai ishte vetëm zëvendësues në Komision dhe kishte munguar në diskutimet e mëparshme për paketën fiskale.
“Ju nuk keni qenë këtu në diskutimet për paketën fiskale. Duhet të prisni radhën dhe të respektoni procedurën. Jeni zëvendësues, jo anëtar i rregullt.”
Shehaj iu kundërpërgjigj duke thënë se i ishte ndërprerë fjala dhe se “Komisioni nuk është shkollë ku mbahen mungesat”.
Braçe shpërthen: “Qepe!” – Ndërpritet mbledhja
Në këtë moment reagoi ashpër deputeti socialist Erion Braçe, duke goditur tavolinën dhe ngritur zërin:
“Nuk mund të vish këtu e të na fyesh! Qepe të them!”
Shehaj iu përgjigj shkurt:
“Qetësohu!”
Polemika solli ndërprerjen e mbledhjes për pesë minuta, pasi tensionet në sallë e bënë të pamundur vijimin e diskutimeve.
Projektligjet që po shqyrtoheshin
Komisioni kishte në rend dite disa projektligje të rëndësishme fiskale, përfshirë:
- Ndryshimet në ligjin për TVSH-në
- Fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore
- Rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme
- Marrëveshjen e paqes fiskale
- Ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat
Megjithatë, debate të forta politike dominuan mbledhjen, duke lënë në plan të dytë diskutimin teknik të projektligjeve.
