Socialisti Jurgis Çyrbja ka dorëzuar mandatin e deputetit. Ai fitoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në zonën e Durrësit. Lidhur me motivet e këtij vendimi, Çyrbja deklaroi se bëhet fjalë për një ndërhyrje shëndetësore që duhet të kryejë, e cila është bërë edhe shkak për lënien e mandatit. Vetëm disa ditë më parë ai u paraqit në SPAK për një kallëzim të Edi Palokës në kohën kur ishte drejtor Hipoteke. Kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në një media theksoi se Durrësi është një nga qarqet më të kriminalizuara, me disa figura të rëndësishme në burg. Gjithashtu ai theksoi se qytetarët duhet t’i kërkojnë llogari institucioneve të drejtësisë dhe të gjithë politikanët që kanë qeverisur vendin ndër vite, duhet të jenë para drejtësisë për të dhënë llogari.
“Nuk e di çfarë është sepse nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të mbajë ndonjë fjalim. Qarku i Durrësit është një nga qarqet ku pushteti është kriminalizuar më shumë. Kemi disa figura të rëndësishme të PS që janë në burg. Kemi dhe këtë deputetin që është mbase rrugës për në burg. Durrësi është kthyer në një vend ku çfarë nuk trafikohet, çfarë nuk pastrohet”, deklaroi ai. Më tej zoti Qori u pyet a beson te drejtësia e re? “Për mua qytetarët duhet t’i kërkojnë institucioneve të drejtësisë llogari për punën e bërë dhe për punën që nuk e kanë bërë. Drejtësia e plotë do të vihet në momentin kur të gjithë ata që kanë qeverisur Shqipërinë të shkojnë para drejtësisë dhe të japin llogari për krimet, korrupsionin…këtu partitë e vjetra i kam quajtur si atë traun e lojërave të fëmijëve, që kur ulet njëri fuqizohet tjetri dhe anasjelltas. Me kushtin që asnjëri mos ikë nga loja”, nënvizoi kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori.
