Ka përfunduar autopsia mjeko-ligjore e 18-vjeçarit, i cili është gjetur pa shenja jete në qendrën rezidenciale të zhvillimit në Berat.
Konfirmohet se në trupin e 18-vjeçarit nuk ka pasur shenja dhune dhe as shenja helmimi, mostrat e gjakut janë çuar për analiza në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Vdekja e 18-vjeçarit me probleme të shëndetit mendor paraprakisht konfirmohet se ka qenë vdekje natyrale.
Në Morgun e Spitalit Rajonal Berat, ka përfunduar kryerja e autopsisë mjeko-ligjore, nga e cila është konfirmuar se në trupin e 18-vjeçarit nuk ka pasur shenja dhune dhe as shenja helmimi.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po kryen të gjitha veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Të njëjtat burime konfirmojnë se, pasi janë pyetur edukatorët e turnit që kanë dhënë shpjegimet në lidhje me ngjarjen, janë sekuestruar kamerat e sigurisë së qendrës si dhe është marrë kartela mjekësore nga Spitali Rajonal Berat, ku viktima ishte shtruar disa ditë më parë pasi kishte pasur shqetësime.
Trupi i pajetë i 18-vjeçarit nga Kavaja do t’u dorëzohet familjarëve, që janë njoftuar nga policia menjëherë pas ngjarjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e sotme (25 nëntor) në Qendrën Rezidenciale të Zhvillimit Rajon Berat. Ka qënë personeli i kësaj qendre që ka gjetur pa shenja jete shtetasin S.Ll,18-vjeç,banues në Kavajë, i cili vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Ky shtetas, është pranuar për trajtim pranë kësaj qendre në muajin Qershor 2023,me vendim të Komisionit Qëndror për Vlerësimin e Nevojave të Personave me Aftësi të Kufizuara Tiranë, duke qenë se vuante nga probleme të shëndetit mendor.
