Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i kanë drejtuar një kërkesë zyrtare kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për mbledhjen urgjente të Këshillit.
Në kërkesë, përfaqësuesit e PD-së kërkojnë që Këshilli të mblidhet të martën, më 23 dhjetor, në orën 11:00, për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetes, njëkohësisht zëvendëskryeministre dhe ministre, Belinda Balluku.
Sipas demokratëve, ndërprerja e njëanshme e mbledhjes së mëparshme të datës 19 dhjetor, pa caktuar një seancë të re, përbën shkelje të rregullores dhe një pengesë për veprimtarinë e drejtësisë. Ata theksojnë se afati prej disa ditësh është i mjaftueshëm për njohjen me materialet hetimore, duke iu referuar edhe praktikave parlamentare të mëparshme.
Në kërkesë nënvizohet gjithashtu shqetësimi i Prokurorisë së Posaçme se vonesat mund të rrezikojnë hetimin, për shkak të mundësisë së prishjes së provave ose intimidimit të dëshmitarëve.
Dokumenti është firmosur nga pesë anëtarë të PD-së në Këshill, të cilët theksojnë se thirrja e mbledhjes është e detyrueshme sipas Rregullores së Kuvendit, kur kërkohet nga gjysma e anëtarëve të Këshillit.
