Gjykatat italiane kanë rrëzuar paktin Rama-Meloni, pasi asnjë prej të dyve nuk ka të drejtë të burgosë askënd, aq më tepër refugjatë që kapen në mes të detit dhe kërkojnë azil. Edhe pse kampet u ndërtuar në Shqipëri për të shmangur gjykatat italiane, sërish plani nuk funksionon dhe është rrëzuar nga një vendim i gjykatës së Romës, që e ndalon izolimin e emigrantëve. Vendimi i dhënë dje i jep lirinë edhe 12 emigrantëve të parë që provuan burgun në Shqipëri dhe i detyron autoritetet italiane t’i rikthejnë ata menjëherë në Itali, të gjithë, edhe sikur kërkesat e tyre për azil të jenë refuzuar nga komisionet përkatëse. Vendimi i gjykatës italiane sapo ka përmbysur kështu një nisëm plot pikëpyetje të dyshes Rama-Meloni, e cila u denoncua nga shumë organizata humanitare si një shkelje e hapur e të drejtave të njeriut. Ky vendim i gjykatës italiane ka ngjallur shumë reagime, si në Itali, Shqipëri, por edhe në Evropë.
Detajet nga vendimi
Vendimi i gjykatës italiane bazohet në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të datës 4 tetor, që u mor pak ditë para hapjes së qendrave të Shëngjinit dhe të Gjadrit. Sipas këtij vendimi, vendi nga ku niset një refugjat që kërkon azil duhet të jetë “i sigurt” dhe nuk mund të ketë persekutim, diskriminim apo torturë ndaj askujt në asnjë zonë të territorit. Dhe Egjipti dhe Bangladeshi, nga ku vinin emigrantët e parë që u burgosën në Gjadër, nuk konsiderohen vende “të sigurta”. La Repubblica citon drejtuesen e seksionit të emigracionit në gjykatën e Romës, Luciana Sangiovanni që thotë në një deklaratë për shtyp se: “Izolimi i emigrantëve nuk është legjitimuar në bazë të parimeve, detyruese për gjyqtarët vendas dhe për vetë administratën, të përcaktuara nga vendimi i fundit i Gjykatës Europiane. Mohimi i legjitimimit për izolimin në strukturat dhe zonat shqiptare, të barazuara me zonat kufitare ose tranzitore italiane, lidhet me pamundësinë e njohjes si vend “vende të sigurta” të shteteve të prejardhjes së personave të mbajtur (në këto struktura), me pasojë mosaplikimin e procedurës kufitare dhe, siç parashikohet në protokoll, të transferimit jashtë territorit shqiptar të emigrantëve, që kanë të drejtën të kthehen në Itali”.
Në thelb, gjykata ka refuzuar të pranojë burgosjen e emigrantëve, të cilët sipas paktit Rama-Meloni, pasi sillen në Shqipëri nuk mund të lëvizin të lirë në territorin shqiptar. Për këtë arsye, emigrantët do të duhet të hipin sërish në një anije për t’u kthyer në Itali, në portin ku qeveria italiane vendos t’i zbarkojë. “Autoritetet italiane kanë për detyrë të kthejnë të arrestuarit në Itali dhe t’i lejojnë ata të ushtrojnë të drejtën e azilit në territorin italian”, citohen avokatët e një prej emigrantëve që aktualisht është mbyllur në kampin e Gjadrit nga mediat italiane. Pakti Rama-Meloni mendohet se i ka kushtuar Italisë disa qindra miliona euro. Opozita italiane kërkon nga Meloni që të kërkojë falje dhe të kthejë paratë.
Meloni mbledh qeverinë
Pas këtij vendimi, kryeministrja e Italisë Georgia Meloni njoftoi se do të mbledhë qeverinë në lidhje me vendimin e marrë nga Gjykata e Romës për dërgimin e emigrantëve nga kampi i Gjadrit , në Itali. Meloni e ka quajtur vendimin e gjyqtarëve, me paragjykime, ndërsa ka deklaruar se mbledhja e së hënës do të mbahet për të zgjidhur këtë problem. “ Thirra mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të miratuar rregullat për të kapërcyer këtë pengesë, sepse mendoj se nuk i takon gjyqësorit të thotë se cilat vende janë të sigurta, por qeverive, kështu që qeveria do të duhet ta sqarojë më mirë”, tha ajo.
Reagimet në Itali
Deputetët e Lëvizjes “5 YJET” kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi politikat e qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni. “Giorgia Meloni duhet t’u kërkojë falje italianëve, duke filluar nga ata që e votuan, sepse i mashtroi. Sepse për këtë bëhet fjalë: një mashtrim qindra milionë euro me të cilin Meloni, pasi kuptoi se ajo duhej të mos arrinte të zbatonte bllokadën e çmendur detare të premtuar në fushatën elektorale, ai donte t’i bënte italianët të besonin se kishte gjetur një mënyrë për t’i mbajtur larg emigrantët duke i dërguar jashtë shtetit, një mashtrim i organizuar aq keq sa u prish vetëm 48 orë”, thuhej në deklaratën e Lëvizjes “5Yjet”. Më tej lëvizja “5 Yjet”, shtoi akuzat ndaj Melonit, duke thënë se vetëm për ato 16 emigrantë, Italia ka shpenzuar 300 mijë euro vetëm naftë për të sjellë në Shqipëri 16 emigrantët që tani po kthehen sërish mbrapsht. Duke nxjerr në pa shpenzimet ekstreme për një projekt i cili bazuar në vendimin e sotëm të gjykatës së Romës është i destinuar të dështojë.
