Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e një qytetari që ankohej se, pas sekuestrimit të celularit të tij, SPAK dhe GJKKO kishin marrë dhe përdorur të gjitha të dhënat personale të gjetura në pajisje, pa dalluar mes atyre që lidhen me hetimin dhe atyre private.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja e ka cilësuar këtë praktikë si shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe të privatësisë. Gjykata ka urdhëruar që organet e drejtësisë të përdorin vetëm komunikimet që lidhen drejtpërdrejt me objektin e hetimit penal, të përcaktuara paraprakisht me vendim gjykate. Me këtë vendim, i vendoset një kufi i qartë praktikës së sekuestrimit dhe këqyrjes së pajisjeve elektronike nga SPAK dhe GJKKO.
I ftuar në një emision televiziv, analisti Skënder Minxhozi e vlerësoi vendimin si një akt me nivel të lartë juridik dhe me rëndësi të veçantë për funksionimin e drejtësisë së re. Sipas tij, kjo është një çështje që ka shkaktuar debate të forta publike dhe politike, ndërsa thelbi qëndron te respektimi i procedurave dhe standardeve ligjore gjatë hetimeve.
Minxhozi theksoi se vendimi përbën një piketë madhore në përcaktimin e kufijve që duhet të respektojnë institucionet e drejtësisë, veçanërisht në rastet e sekuestrimit të celularëve, laptopëve dhe pajisjeve të tjera elektronike. Ai nënvizoi se mbrojtja e privatësisë dhe e të drejtave individuale është thelbësore për besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Sipas analistit, në shumë raste informacione pa lidhje me hetimin janë bërë publike në media dhe rrjete sociale, duke u përdorur për të denigruar persona nën hetim. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese synon të korrigjojë këto devijime dhe të vendosë standarde më të qarta për menaxhimin e të dhënave personale.
“Ky vendim është një pikë kthese. Drejtësia ka nevojë për rregulla të qarta, që të garantohet privatësia dhe e drejta e individit. Keqpërdorimi i të dhënave personale ka qenë një realitet i dhimbshëm dhe Kushtetuesja synon të rregullojë këto devijime, duke forcuar besimin e publikut te drejtësia”, u shpreh Minxhozi.
