Fondet publike për arsimin në Shqipëri pritet të ulen ndjeshëm gjatë viteve të ardhshme, si në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), ashtu edhe në raport me shpenzimet totale buxhetore. Parashikimet në buxhetin afatmesëm 2026–2028 tregojnë se investimi në arsim do të ketë rënie progresive, duke e çuar vendin edhe më larg standardeve të rajonit dhe Bashkimit Europian.
Shpenzimet për arsim bien nga 2.4% në 2.1% të PBB-së
Sipas të dhënave të INSTAT dhe buxhetit të projeksionuar:
- Në vitin 2022, Shqipëria shpenzoi vetëm 2.9% të PBB-së për arsim.
- Gjatë këtij viti (2025), fondet pritet të bien në 2.4% të PBB-së.
- Deri në vitin 2028, shpenzimet për arsim do të zbresin në vetëm 2.1% të PBB-së, niveli më i ulët i dekadës së fundit.
Kjo do të thotë se, edhe pse ekonomia rritet, pjesa që qeveria i dedikon arsimit zvogëlohet në mënyrë të qëndrueshme.
E njëjta tendencë u vu re edhe në sektorin e shëndetësisë, duke ngritur shqetësime për prioritetet e politikave publike në një kohë kur vendi përballet me sfida demografike, arsimore dhe profesionale.
Ulje edhe në raport me buxhetin e shtetit
Rënia e fondeve për arsimin nuk kufizohet vetëm në raport me PBB-në. Sipas projeksioneve:
- Në vitin aktual, buxheti i arsimit përbën 7.5% të shpenzimeve totale të buxhetit të shtetit.
- Deri në vitin 2028, kjo peshë nuk do të kalojë 7%, duke treguar një tkurrje të mëtejshme të prioritizimit financiar.
Ky nivel është dukshëm nën mesataren rajonale dhe europiane.
Shqipëria, nën mesataren e Ballkanit Perëndimor
Mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor për investimet publike në arsim është rreth 3.9% e PBB-së, ndërsa Shqipëria renditet shumë më poshtë këtij niveli prej vitesh.
Rënia e mëtejshme e fondeve thellon hendekun me vendet fqinje dhe e bën të vështirë konkurrueshmërinë e sistemeve tona arsimore dhe të tregut të punës në perspektivën europiane.
Infrastrukturë e amortizuar dhe mungesa të theksuara
Sektori arsimor në Shqipëri përballet prej vitesh me:
- ndërtesa të amortizuara të shkollave,
- mungesë të infrastrukturës teknologjike,
- mungesë laboratorësh dhe pajisjesh didaktike,
- vështirësi në ofrimin e mësimdhënies cilësore.
Këto probleme pritet të rëndohen edhe më tej me uljen e fondeve.
Financim i pabalancuar brenda niveleve arsimore
Përveç nivelit të ulët të investimit total, edhe shpërndarja e fondeve brenda sistemit është problematike:
- Arsimi fillor përfiton rreth 1.8% të PBB-së,
- Arsimi i mesëm vetëm 0.4% të PBB-së, shumë poshtë mesatares së BE-së prej 2%.
Këto shifra tregojnë një mospërputhje të dukshme me standardet evropiane për zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Efektet negative të uljes së fondeve
Ekspertët paralajmërojnë se tkurrja buxhetore do të:
- pengojë rritjen e cilësisë së mësimdhënies,
- ngadalësojë përmirësimin e infrastrukturës shkollore,
- dëmtojë ndjeshëm zhvillimin e kapitalit njerëzor,
- thellojë më tej pabarazitë dhe mungesat strukturore në sistem.
Në një kohë kur vendet e BE-së po rrisin investimet në arsim, Shqipëria rrezikon të mbetet edhe më shumë prapa në garën për modernizim dhe zhvillim.
